2020-04-27 15:24:02 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Më 23 prill, ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding dha një intervistë për emisionin "Real Story" të televizionit "News 24", ku shpjegoi situatën e tanishme të epidemisë së koronavirusit të ri në Kinë, masat e Kinës dhe bashkëpunimin midis Kinës e Shqipërisë kundër epidemisë etj.
Lidhur me situatën e tanishme të epidemisë së koronavirusit të ri në Kinë dhe masat e Kinës, ambasadori Zhou u shpreh se, pas përpjekjeve të mëdha, Kina ka arritur fitore fazore në kontrollin e epidemisë brenda vendit. Transmetimi i virusit në Kinë është ndaluar përgjithësisht dhe jeta e aktiviteti prodhues janë normalizuar. Duke vendosur gjithmonë në vendin e parë sigurinë e jetës dhe shëndetin e popullit, qeveria kineze ndërmori masat më të gjithanshme, më të rrepta dhe më të plota kundër epidemisë së COVID-19. Kina ka krijuar sistemin e parandalimit e të kontrollit të përbashkët. Të infektuarit zbulohen, izolohen dhe trajtohen sa më parë, dhe po ashtu gjurmohen personat e kontaktit për secilin rast. Për pacientët me simptoma të lehta dhe ata me simptoma të rënda, merren masa të ndryshme karantinimi dhe trajtimi. Në zonat ku situata ka qenë më e rëndë, u ndërtuan urgjentisht spitale të përkohshme, duke rritur dukshëm shkallën e pranimit dhe kurimit. Faktet tregojnë se masat e marra nga Kina janë efektive dhe tani shumë vende po marrin masa të tilla mbi bazën e përvojës së Kinës. Përballë rreziqeve të rasteve të epidemisë nga jashtë vendit, Kina po marr masa serioze të parandalimit dhe të kontrollit për të shmangur një valë të re të epidemisë. Në Kinë po përdoret teknologjia moderne për të bërë parandalimin dhe kontrollin dinamik digjital. Veç këtyre, Kina po eksploron metoda më të shpejta të testimit dhe po përshpejton zhvillimin e vaksinave.
Lidhur me thëniet si "virusi është nga laboratori i Wuhan-it", "Kina e fshehu epideminë", "Kina duhet të paguajë për veprimet e saj" etj., ambasadori Zhou u shpreh se pas shpërthimit të epidemisë, shumë lajme janë identifikuar si lajme të rreme dhe shumë komente bëhen nga emocionet e janë të politizuara. Burimi dhe përhapja e virusit janë çështje serioze shkencore dhe duhet të studiohen e të jepet përgjigje për to nga shkencëtarët e mjekët. Tani shumë ekspertë të shëndetit publik, epidemiologë, virologë dhe revista shkencore me autoritet janë të mendimit se koronavirusi i ri nuk është i manipuluar apo i krijuar në laborator. Kina është vendi i parë që zbuloi koronavirusin e ri dhe po e lufton këtë virus. Kina e filloi këtë luftë duke mos pasur asnjë përvojë. Pala kineze gjithmonë ka bashkëpunuar me OBSh-në dhe vendet e ndryshme, me një qëndrim të hapur, transparent dhe përgjegjës. Shpejtësia dhe forca e reagimit, si dhe transparenca e bashkëpunimit të Kinës, kanë qenë të papara në histori. Lidhur me të ashtuquajturin dëmshpërblim, nuk ka asnjë bazë ose shembull të mëparshëm për këtë. Nëse do të kërkohej dëmshpërblim për gjobat dhe epideminë, bota do të hynte në kaos. Virusi është armiku i përbashkët i njerëzimit, ai nuk njeh kombësi e ideologji dhe mund të ndodhë në çdo kohë e në çdo vend. Përballë pandemisë, e gjithë bota është një e tërë. Për sa kohë që epidemia nuk mbaron në një vend, ne të gjithë jemi në rrezik, tha ambasador Zhou.
Lidhur me bashkëpunimin midis Kinës e Shqipërisë kundër epidemisë dhe materialet e ndihmës nga Kina për Shqipërinë, ai u shpreh se ambasada i ka dhuruar palës shqiptare kuti testimi. "Disa herë i kemi njoftuar Ministrisë së Shëndetësisë, IShP-së, mediave dhe instituteve shqiptare të studimit të politikave gjetjet më të fundit të hulumtimit mbi COVID-19 dhe kemi ndarë protokollet më të fundit të parandalimit e kontrollit dhe të trajtimit. Gjithashtu kemi organizuar videokonferencë midis ekspertëve shqiptarë dhe ekspertëve e mjekëve me përvojë në trajtimin e sëmundjes në frontin e parë në Kinë," vuri në dukje z. Zhou. Ai shtoi se, në kushtet kur pala kineze po përballet me vështirësi dhe sfida nga pandemia dhe kërkesa ndërkombëtare për produkte mjekësore është rritur shumë e transporti ndërkombëtar është vështirësuar mjaft, ndihma mjekësore nga qeveria kineze do të mbërrijë në Tiranë, duke përfshirë materialet më të nevojshme për Shqipërinë, si kuti testimi, veshje mbrojtëse, maska mjekësore etj. Këto do të bëhen një armë e fuqishme e Shqipërisë kundër COVID-19, u shpreh përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Shqipëri në intervistën për "Real Story" në "News 24". (Çang Çuo)