2020-04-18 11:22:24 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Pas shumë gabimeve të Uashingtonit, ShBA-ja u bë zona më e prekur nga koronavirusi. Në këtë sfond, Shtëpia e Bardhë shpalli se do të pezullojë pagimin e tarifës së anëtarësisë në OKB, gjë që shihet si një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen e publikut amerikan. Në një koment të saj CMG-ja thekson se, megjithëse liderët amerikanë i kanë kritikuar "gabimet" e OBSh-së, para fakteve, asnjë nga akuzat e ShBA-së s'mund të qëndrojë.
Së pari, pala amerikane e kritikon OBSh-në se "ka shpërfillur detyrën e vet dhe ka fshehur informacionet e përhapjes së virusit", gjë që është kryekëput e pavërtetë.
Më 3 janar, pala kineze filloi të informojë OBSh-në. Pas dy ditëve, OBSh-ja e paralajmëroi botën për një pneumoni të pashpjegueshme. Nga 7 janari OBSh-ja filloi t'i njoftojë funksionarët e shëndetësisë të vendeve të ndryshme, duke përfshirë ShBA-në, për situatën e epidemisë nëpërmjet konferencave telefonike. Më 10 janar, OBSh-ja publikoi udhëzimet teknike për të gjitha vendet. Më 22 dhe 23 janar, OBSh organizoi mbledhjen e Komitetit të Emergjencave dhe më 30 janar e shpalli epideminë e koronavirusit "emergjencë të shëndetit publik me vëmendje ndërkombëtare." Në shkurt, OBSh-ja dërgoi ekipin e ekspertëve ndërkombëtarë në Kinë për t'u njohur me gjendjen epidemike, ndër të cilët kishte edhe një ekspert nga ShBA-ja.
Gjatë parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, OBSh-ja ka organizuar shumë herë konferenca shtypi, ka njoftuar shpejt situatën e epidemisë dhe ka bashkërenduar vendet e ndryshme kundër epidemisë. Po nga janari deri në shkurt, pala amerikane nuk ndërmori ndonjë veprim për përballimin e epidemisë.
Së dyti, kritika e palës amerikane ndaj OBSh-së që nuk vlerësoi objektivisht epideminë në Kinë dhe mbrojti Kinën, është gjithashtu e gabuar.
Siç e përmendëm, në shkurt OBSh-ja dërgoi një grup ndërkombëtar ekspertësh në Kinë, duke përfshirë edhe një amerikan. Pas 9 ditëve inspektim, OBSh-ja publikoi raportin e hollësishëm të këtij grupi, ku vlerësohet se Kina ka marrë masat më të guximshme dhe më aktive të parandalimit dhe të kontrollit në histori. Kina i ka ofruar një përvojë të rëndësishme botës në përballimin e epidemisë. Tani rendi i prodhimit dhe i jetës në Kinë po rimëkëmbet, gjë që tregon se vlerësimi i OBSh-së për Kinën është objektiv, shkencor dhe i drejtë.
Së treti, akuza e palës amerikane se kundërshtimi nga OBSh-ja i "ndalimit të udhëtimeve" është një "vendim katastrofik", është e paarsyeshme.
Si organizata më profesionale në fushën sigurisë së shëndetit publik, këshillat e OBSh-së bëhen sipas "Rregullave ndërkombëtare shëndetësore." Në komentin e CMG-së thuhet se Komiteti i Emergjencave i OBSh-së luan rol të rëndësishëm në rekomandimet e ofruara nga OBSh-ja. Ky komitet përbëhet nga specialistë të vendeve të ndryshme, duke përfshirë amerikanë. Akuzat e qeverisë amerikane s'mund të fshehin gabimet e saj në parandalimin e kontrollin e epidemisë.
CMG-ja thotë në koment se sulmet e palës amerikane ndaj OBSh-së dhe ndalimi i pagimit të tarifës së anëtarësisë janë veprime të papërgjegjshme dhe të pamoralshme. Tani mbi 2 milionë veta janë të konfirmuar me COVID-19 në botë. Pala amerikane duhet të ndalojë politizimin e epidemisë dhe të zhvillojë bashkëpunimin ndërkombëtar kundër epidemisë. Bashkimi është arma më e fortë në luftën ndaj epidemisë. (Çang Çuo)