Wuhan-i jep përgjigje për rishikimin e numrit të viktimave nga COVID-19

2020-04-17 13:11:13 CRI Komenti juaj Printoni

Të premten, komanda e parandalimit dhe e kontrollit të epidemisë së COVID-19 në Wuhan bëri një njoftim mbi numrin e rasteve të konfirmuara dhe të viktimave nga kjo epidemi.

Po atë ditë, përgjegjësi i komandës dha një intervistë për mediat, duke iu përgjigjur pyetjeve të mëposhtme.

Pse duhet të rishikohet numri i rasteve të konfirmuara dhe i vdekjeve?

Epidemia e COVID-19 është një emergjencë e madhe e shëndetit publik në Kinë me përhapjen më të shpejtë, sferën më të gjerë të infektimit dhe vështirësinë më të madhe të parandalimit dhe kontrollit që nga themelimi i Kinës së Re. Si terreni kryesor për betejën vendimtare të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, qyteti Wuhan, nën udhëheqjen e fortë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës e të Këshillit të Shtetit dhe nën komandën specifike të Komitetit të Partisë të Hubeit dhe të qeverisë së provincës, ka miratuar masat më gjithëpërfshirëse, më të rrepta dhe më të plota të parandalimit dhe kontrollit. Përhapja e epidemisë është bllokuar në thelb dhe është hequr kontrolli në rrugët për të dalë jashtë qytetit, gjë që ka krijuar kushte të favorshme për rishikimin gjithëpërfshirës dhe të hollësishëm të të dhënave të situatës epidemike.

Informacioni mbi gjendjen epidemike, si rastet e diagnostikuara dhe vdekjet, duhet të raportohet në kohën e duhur dhe të publikohet në mënyrë të hapur, transparente dhe të vërtetë. Në fillim të shpërthimit, në fazën e hershme të epidemisë, për shkak të aftësive të pamjaftueshme për pranim dhe trajtim, disa institucione mjekësore nuk arritën të lidhen me sistemin e informacionit për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve në kohën e duhur. Ndërkohë, në kulmin e mjekimit, spitalet ishin të mbingarkuara dhe personeli mjekësor ishte përqendruar në mjekimin dhe shpëtimin e njerëzve, kështu që ka pasur njoftime me vonesë dhe me shifra të gabuara.

Sipas paragrafit 4 të nenit 38 të "Ligjit për parandalimin dhe mjekimin e sëmundjeve infektive të Republikës Popullore të Kinës" se "duhet të publikohen të dhënat epidemike në kohë dhe me saktësi"; paragrafit 3 të nenit 25 të "Rregullores për emergjencat e shëndetit publik", që thotë se "duhet të publikohet informacioni në kohë, me saktësi dhe në mënyrë të gjithanshme"; nenit 19 të "Rregullores së zbatimit të 'Ligjit të statistikave të Republikës Popullore të Kinës'", që "të dhënat statistikore me mungesa ose gabime të dukshme duhet të plotësohen ose të rishikohen sipas ligjit"; nenit 14 të "Rregullores për regjistrimin e të dhënave të të vdekurve", nga i cili kërkohet që "institucionet mjekësore duhet të krijojnë sistemin e duhur për rishikimin e të dhënave" dhe nenit 15 që "institucionet mjekësore duhet të krijojnë sistemin e krahasimit dhe shqyrtimit të të dhënave përkatëse" etj., duhej të bëhej një rishikim për numrin e rasteve të konfirmuara dhe të të vdekurve.

Si është bërë rishikimi i numrit të rasteve të konfirmuara dhe të vdekjeve?

Komanda për parandalimin dhe kontrollin e COVID-19 në Wuhan i kushton rëndësi të madhe punës së rishikimit dhe me parimin e përgjegjësisë për historinë, popullin dhe ata që janë ndarë nga jeta, për të garantuar të dhëna të hapura dhe shifra të sakta për gjendjen epidemike, në fund të marsit 2020, ka formuar një grup të posaçëm inspektimi për të dhënat e mëdha lidhur me gjendjen epidemike, duke mobilizuar sektorët dhe departamentet kryesore, si komisioni shëndetësor, rendi publik, çështjet civile, organet juridike dhe statistikore, të cilët kanë bërë krahasim të dhënash në internet me sistemet përkatëse shëndetësore dhe ndërkohë, kanë bërë mbledhjen e të dhënave nga të gjitha zonat e infektimit në Wuhan, si klinikat e sëmundjeve infektive, spitalet e përhershme dhe ato të përkohshme, pikat e karantinës, lagjet me raste infektimi, si edhe institucionet e veçanta që menaxhohen nga departamentet e sigurisë publike, të drejtësisë, të çështjeve civile etj., si burgjet dhe shtëpitë e të moshuarve. Është mbledhur informacioni personal për të gjitha rastet një për një me institucionet mjekësore, lagjet, stacionet bazë të policisë dhe të afërmit e të sëmurëve, për të garantuar që çdo shifër të jetë e saktë dhe e bazuar te faktet.

Pas rishikimit, çfarë ndryshimesh ka në të dhënat për numrin e rasteve të infektimit?

Deri në orën 24 të 16 prillit, numri i të sëmurëve të konfirmuar që u publikua më parë ka qenë 50 008. Për shkak që disa pacientë kanë qenë në shumë spitale për mjekim, atëherë 217 raste janë raportuar me përsëritje dhe numri duhet të ulet. Për shkak të njoftimeve të vonuara ose të gabuara, duhet të shtohen 542 raste që nuk ishin raportuar në kohë. Atëherë numri real i përgjithshëm i të infektuarve është rishikuar në 50 333.

Pas rishikimit të të dhënave për viktimat nga COVID-19, çfarë ndryshimesh ka?

Deri në orën 24 të 16 prillit, numri i të vdekurve në qytetin Wuhan i publikuar më parë ka qenë 2 579. 164 raste ndër to janë raportuar me përsëritje ose nuk janë nga COVID-19 dhe duhet të hiqen. Krahas kësaj, disa prej vdekjeve nuk janë regjistruar në sistemin e informacionit dhe disa institucione mjekësore kanë bërë njoftim me vonesë, prandaj duhet të shtohen 1 454 raste vdekjesh dhe numri i përgjithshëm real i të vdekurve duhet të rishikohet në 3 869.

Çfarë rëndësie ka puna e rishikimit të numrit të rasteve të konfirmuar dhe të vdekjeve nga COVID-19 në Wuhan?

Siguria e jetës dhe shëndeti janë nevojat më themelore dhe dëshirat më të zakonshme të njerëzve. Pas këtyre të dhënave mbi gjendjen epidemike qëndron jeta e shëndeti i njerëzve, si edhe besimi te qeveria. Rishikimi në kohë i numrit të rasteve të konfirmuara e të vdekjeve nuk është vetëm në favor të mbrojtjes së të drejtave të popullit e të vendimmarrjes shkencore mbi parandalimin e kontrollin e epidemisë, por është edhe një përgjigje ndaj vëmendjes shoqërore e respekt për çdo jetë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore