2020-04-16 11:28:40 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në Kinë pandemia e COVID-19 ka sjellë një hov rritjeje në sektorin e konsultimeve mjekësore në internet.
Konsultimet mjekësore në internet ofrojnë një mundësi më të sigurt për njerëzit që kanë nevojë për mjekim, por nuk duan të shkojnë në spital për shkak të rrezikut të mundshëm të infektimit.
Gjatë epidemisë, numri i konsultimeve mjekësore në internet nga 44 spitalet kryesore publike në Kinë ka shënuar një rritje të madhe, 17 herë më shumë.
Kjo lidhet me përdorimin e teknologjive si 5G dhe inteligjenca artificiale, të cilat kanë rritur ndjeshëm efikasitetin dhe saktësinë e shërbimeve në internet.
Wang Tao drejton një kompani të mjekësisë në internet në Shangai. Kjo kompani ka mbledhur mbi 600 milionë të dhëna konsultimi duke përdorur inteligjencën artificiale, që mund të ndihmojnë për të lidhur shumë shpejt pacientët me mjekët e duhur.
"Platforma e bazuar në inteligjencën artificiale mund t'i ndihmojë mjekët tanë t'u përgjigjen pyetjeve të pacientëve në mënyrë më efikase, të pakësojnë përsëritjen e rutinave të diagnostikimit dhe të shkurtojnë kohën e konsultimit," thotë Wang Tao.
Për të mbështetur zhvillimin e saj, Kina ka zgjeruar sigurimet shëndetësore publike për shërbimet e bazuara në internet dhe trajtimet e ofruara nga institucionet e kualifikuara mjekësore.
Kjo siguron që banorët në më shumë qytete kineze të marrin rimbursime për shërbimet mjekësore në internet.
Ndërkohë, është njoftuar që spitali i parë në internet në Kinë, "WeDoctor", ka rekrutuar mbi 50 mijë mjekë nga tërë vendi gjatë epidemisë. Sipas njoftimeve, ata kanë marrë afro 1.6 milionë kërkesa për konsultime dhe kanë diagnostikuar rreth 150 pacientë me COVID-19.
Nëndrejtori i lartë i "WeDoctor" Cheng Yi është optimist për të ardhmen e këtij sektori:
"Qeveria e ka njohur vlerën e shërbimeve mjekësore në internet gjatë shpërthimit. Kështu që unë besoj se shërbimet mjekësore në internet dhe spitalet në internet do të vazhdojnë të luajnë një rol shumë të rëndësishëm në jetën e njerëzve."
Ndërkohë, shumë spitale publike në Kinë po e ndjekin nga afër këtë prirje, duke krijuar klinika në internet që mund të japin receta dhe ilaçe, të mbuluara nga sigurimet.