Kinë: Rregullohen masat e kontrollit të COVID-19 në nivel lagjeje për të rikthyer normalitetin

2020-04-16 10:06:54 CRI Komenti juaj Printoni

Shumë lagje në Kinë kanë rregulluar masat e kontrollit të epidemisë, me shpresën për të lehtësuar normalizimin e jetës së banorëve, ndërsa parandalojnë një valë të dytë të shpërthimit.

Në Pekin, shumë lagje kanë lejuar hyrjen e postierëve dhe të agjentëve të pasurive të patundshme. Sidoqoftë, po zbatohen disa masa për të shmangur infeksionin e mundshëm.

 

Në distriktin Shunyi, punonjësja e lagjes Wang Chunyan siguron që pakot postare janë të sigurta për t'u marrë nga porositësit e tyre.

"Ne kemi përgatitur 20 rafte ku postierët mund të vendosin dërgesat dhe pakot. Ne gjithashtu i dezinfektojmë këto dërgesa, për të siguruar që ato të jenë të sigurta. Në këtë mënyrë, mund ta mbarojmë shpejt punën e dezinfektimit para se t'i fusim këto dërgesa në lagje të sigurta," thotë ajo.

Ndërkohë, kujdes i veçantë u kushtohet atyre që janë ende në karantinë në shtëpi.

Li Meihong, kryetare e një komiteti lagjeje në distriktin Shijingshan, thotë se ata janë duke punuar në grupe për t'u shërbyer njerëzve në zonën e tyre:

"Ne kemi formuar ekipe me nga gjashtë veta për të dërguar ushqime dhe pako për familjet e izoluara dhe për t'i ndihmuar ato të hedhin mbeturinat. Ne mund t'u shërbejmë deri në 150 familjeve në ditë dhe, deri më tani, kemi ofruar 5 000 herë shërbime të tilla."

Edhe pse situata në të gjithë Kinën është në thelb nën kontroll, autoritetet përsëri po bëjnë thirrje për përpjekje më të mëdha për t'i mbajtur banorët të sigurt dhe për të përmbushur nevojat e përditshme.

Chen Yueliang nga Ministria e Çështjeve Civile kërkon të bëhet më shumë për ta rikthyer jetën në normalitet:

"Rajonet që ende zbatojnë masa të rrepta, duhet gjithashtu të marrin parasysh se bizneset duhet të rifillojnë, dhe nevojat e përditshme të banorëve duhet të përmbushen në kohën e duhur, ndërsa gjithashtu rregullojnë hap pas hapi strategjitë e parandalimit dhe kontrollit në lagje."

Megjithëse Kina ka arritur ta kontrollojë transmetimin lokal të COVID-19, ekspertët kanë paralajmëruar se ende mbeten shumë të panjohura për virusin dhe se detyra e shmangies së një numri të ri rastesh mbetet e vështirë.

Banorët në shumicën e qyteteve ende duhet të tregojnë certifikata shëndetësore dhe t'i nënshtrohen matjes së temperaturës përpara se të hyjnë në komunitetet e tyre.

Ata që kthehen nga diku, duhet të deklarojnë gjendjen e tyre shëndetësore dhe të regjistrohen në komitetet e lagjes së tyre të banimit.

Mrekulli
Lajmet Kryesore