2020-04-15 15:14:06 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Me përhapjen e epidemisë së COVID-19, në shumë vende është shfaqur mungesa e materialeve parandaluese. Kështu Kina, si vend i madh i manifakturës, është bërë alternativa e parë e shumë vendeve për blerjen e materialeve për përballimin e epidemisë.
Ditët e fundit, avionët e posaçëm për blerjen e maskave nga vende të ndryshme kanë ardhur në aeroportet ndërkombëtare të Pekinit, Shangait, Tianjin-it, Guangzhou-t, Shenzhen-it, Zhengzhou-t dhe të qyteteve e tjera kineze. Ndër këta aeroplanë, një pjesë janë transformuar nga avionët e udhëtarëve, ndërsa disa vende dërguan drejtpërdrejt aeroplanë mallrash ose ushtarakë.
1. Shangai, pesë avionë ushtarakë të huaj erdhën brenda një dite
Më 4 prill, dy avionë transportues ushtarakë të tipit "IL-76" të Forcave Ajrore të Algjerisë arritën në Aeroportin Ndërkombëtar "Pudong" të Shangait. Pasi u ngarkuan me materiale mbrojtëse, përfshirë maska, avionët transportues ushtarakë algjerianë u kthyen pasdite.
Po atë ditë, në aeroportin "Pudong" zbritën edhe tre aeroplanë transportues të Forcave Ajrore të Rusisë, dy prej tyre "IL-76" dhe një "An-124". Ata u kthyen në atdhe pasi u mbushën me materiale mbrojtëse.
2. Shijiazhuang, u nis një aeroplan "Boeing" me 3 milionë maska
Më 5 prill, një aeroplan udhëtarësh "Boeing 767-300", me detyrën e posaçme të transportit të materialeve mjekësore, u nis nga qyteti Shijiazhuang i Kinës Veriore për në Talin, kryeqytetin e Estonisë. Ky fluturim i posaçëm u krye nga një kompani ruse e aviacionit, duke transportuar kryesisht 3 milionë maska të blera nga Kina.
3. Guangzhou, dy aeroplanë ushtarakë morën materiale parandaluese
Më 8 prill, dy aeroplanë ushtarakë të huaj zbritën në Aeroportin Ndërkombëtar "Baiyun" të Guangzhou-t. Njëri prej tyre, me mision nga ushtria e Irakut, u ngarkua me 760 pako prej 7 039 kg, ndërsa tjetri, i dërguar nga ushtria e Kuvajtit, me 8182 pako me peshë 31 996 kg. Materialet në të dy aeroplanët ishin kryesisht maska dhe ventilatorë. Të dy avionët u larguan nga Guangzhou po më 8 prill.
4. Wuhan, 20 tonë materiale parandaluese për në Australi
Më 8 prill në mbrëmje, aeroplani i parë i mallrave u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar "Tianhe" i qytetit Wuhan për në Melburn të Australisë. Ky aeroplan mallrash, i transformuar nga një aeroplan udhëtarësh, u ngarkua me 20 tonë mallra, përfshirë maska, veshje mbrojtëse, syze mbrojtëse, pajisje mjekësore etj.
Provinca Hubei, me Wuhan-in si kryeqendër, është një provincë e madhe e prodhimit të materialeve mbrojtëse. Shumë ndërmarrje të kësaj province kanë marrë porosi për eksportin e materialeve mjekësore. Tani kjo provincë kineze, që u lirua nga bllokimi para tre javësh, po dërgon materiale mjekësore për vendet e ndryshme të botës, duke kontribuuar me forcën e vet në luftën globale kundër pandemisë.
5. Varshavë, u kthye "An-225" nga Kina me materiale mjekësore
Më 14 prill paradite, aeroplani transportues më i madh në botë, "An-225", zbriti në Aeroportin Ndërkombëtar "Shopen" të Varshavës, me 1050 metra kub materiale profilaktike të blera nga Kina, përfshirë 76 tonë veshje mbrojtëse, 11 tonë maska mbrojtëse dhe 9 tonë maska. "An-225" është një aeroplan transportues ushtarak super i madh me gjashtë motorë, i prodhuar nga Zyra e Projektimit "Antonov" e ish-Bashkimit Sovjetik. I vetmi "An-225" në botë, që mund të mbajë deri në 250 tonë, zotërohet nga Ukraina. (Wang Lei)