FMN-ja parashikon "recesionin më të keq" që nga Depresioni i Madh

2020-04-15 10:20:31 CRI Komenti juaj Printoni

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon që ekonomia globale do të tkurret 3 për qind në vitin 2020, si rezultat i pandemisë së COVID-19.

Më parë, në janar, FMN-ja kishte parashikuar një rritje prej 3.3 %.

Kryeekonomistja e FMN-së Gita Gopinath thotë:

"Nëse hamendësojmë se pandemia dhe kontrolli i saj kulmojnë në tremujorin e dytë në shumicën e vendeve të botës dhe më pas ulen në gjysmën e dytë të këtij viti, parashikojmë që rritja globale në vitin 2020 të bjerë në minus 3 për qind. Kjo është një ulje prej 6.3 pikë përqindjeje nga janari i 2020-s. Një rishikim i madh për një periudhë shumë të shkurtër kohore. Kjo e bën 'bllokimin e madh' recesionin më të keq që nga Depresioni i Madh dhe shumë më të keq se krizat financiare globale."

Kryekonomistja tha që, nëse pandemia vazhdon në vitin 2021, prodhimi global mund të bjerë vitin e ardhshëm edhe me 8 për qind më shumë.

Ndërkohë, ajo theksoi se vendet e ndryshme duhet të vazhdojnë të shpenzojnë shumë në sistemin e tyre shëndetësor:

"Kontrolli i përhapjes së COVID-19 duke përdorur bllokimet u mundëson sistemeve shëndetësore që të përballen me këtë krizë, çka më pas lejon rifillimin e veprimtarisë ekonomike. Në këtë kuptim, nuk ka asnjë shkëmbim midis ruajtjes së jetës dhe ruajtjes së mjeteve të jetesës. Vendet duhet të vijojnë të mbështesin bujarisht sistemet e tyre shëndetësore, të kryejnë testime gjerësisht dhe të mos vendosin kufizime tregtare për materialet mjekësore."

Gita Gopinath-i tha gjithashtu se FMN-ja është e gatshme të rritë me 1 trilion dollarë kapacitetin e kreditimit, për të mbështetur vendet që kanë nevojë për ndihmë në përballimin e pandemisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore