2020-04-14 10:06:09 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kina ka ritheksuar parimin e vet të mosdiskriminimit në zbatimin e masave të kontrollit të epidemisë dhe u ka kërkuar të gjithë shtetasve të huaj në vend që të zbatojnë rregullat.
Në përgjigjen e tyre të fundit ndaj pretendimeve për ngacmimin e afrikanëve në provincën Guangdong, zyrtarët kinezë kanë theksuar se shtetasit e huaj dhe ata kinezë trajtohen në mënyrë të barabartë.
Wang Bin nga Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë thotë:
"Për sa kohë që jeni në tokën kineze, pavarësisht nëse jeni shtetas kinez apo i huaj, masat tona të kontrollit të pandemisë, përfshirë ndërhyrjet e shëndetit publik, menaxhimin në lagje dhe praktikat e trajtimit nga spitalet, janë të barabarta për të gjithë."
Guangdong-i është një nga disa provincat kineze që përballet me trysni në rritje nga shtimi i rasteve të COVID-19 nga jashtë.
Në kryeqendrën e kësaj province Guangzhou, ka rreth 30 000 të huaj, afro 4500 prej të cilëve nga Afrika.
Deri më tani, qyteti ka raportuar 25 të huaj të diagnostikuar me COVID-19, dhe 19 prej tyre janë afrikanë.
Për shtetasit afrikanë, autoritetet vendore kanë zbatuar një varg shërbimesh mjekësore jo të diferencuara, duke përcaktuar hotele për qëndrimin e tyre gjatë kohës që janë nën mbikëqyrje mjekësore, dhe duke bërë rregullime në çmime për ata që janë në vështirësi financiare.
Është krijuar gjithashtu një mekanizëm komunikimi me konsullatat e përgjithshme të huaja në qytet.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Zhao Lijian u shpreh se miqësia kino-afrikane nuk do të preket nga pandemia:
"Ne nuk do të bëjmë diskriminim ndaj vëllezërve afrikanë. Në fakt, kur në fillim epidemia ishte serioze në Kinë, më shumë se 3 000 studentë afrikanë në Hubei dhe Wuhan ishin të sigurt, përveç një prej tyre, që u infektua dhe u shërua shpejt. Në përgjigje të shqetësimeve të fundit të shprehura nga pala afrikane lidhur me shtetasit e vendeve afrikane, provinca Guangdong ka bërë hetime dhe ka miratuar një varg masash të reja. Unë besoj se, me përpjekjet e përbashkëta të Kinës dhe Afrikës, gjërat do të zgjidhen siç duhet."
Ndërkohë, zyrtarët kinezë përsëritën thirrjen e tyre për shtetasit e huaj që të respektojnë rregullat e parandalimit dhe kontrollit të pandemisë të Kinës, duke paralajmëruar se çdo shkelës do të ndëshkohet.