2020-04-13 09:47:13 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kontinenti afrikan ka raportuar 744 vdekje nga pandemia e COVID-19, ndërsa rastet e konfirmuara kanë arritur në mbi 13 000.
Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Afrikës thotë se rastet e konfirmuara janë në 52 vende afrikane.
Zëvendësdrejtori i Qendrës, dr. Ahmed Ouma, shprehet se ata po përpiqen të kontrollojnë transmetimin vendor:
"Kjo do të thotë që strategjitë që po zbatojmë, duhet të merren me faktin që kemi transmetim vendor, si dhe që po ndodh gjithashtu transmetim në komunitet. Kjo është arsyeja pse numrat janë kaq të mëdhenj. Pra kontinenti është në një fazë ku Evropa, për shembull, ishte rreth gjashtë javë më parë, kështu që është koha të bëjmë shumë më tepër".
Ai shton se testimi mbetet një sfidë.
Që nga fillimi i epidemisë, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Afrikës u ka shpërndarë vendeve anëtare 60 mijë kuti testimi dhe ka importuar 70 mijë të tjera nga Gjermania.
Transportimi i kutive të testimit për në Afrikë ka qenë i vështirë, pasi shumë vende i kanë kufizuar fluturimet ndërkombëtare nga pjesë të ndryshme të botës. Ouma thotë:
"Çështja e analizave mbetet një sfidë, sepse pak kompani po prodhojnë teste që mund t'i përdorim në laborator dhe shumë pjesë të botës tani kanë nevojë për të bërë analiza. Kjo do të thotë testimi mbetet një sfidë."
Sipas Qendrës, vendet më të prekura përfshijnë Afrikën e Jugut me rreth 2 000 raste të konfirmuara, Egjiptin me 1900 dhe Algjerinë me 1800.