2020-04-10 10:02:00 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Njerëzit në Wuhan po udhëtojnë përsëri, pasi bllokimi 76-ditor i qytetit kinez të goditur më fort nga COVID-19 u hoq përfundimisht.
Mbi 60 000 veta u nisën nga Wuhan-i me tren ose aeroplan të mërkurën, ditën e parë të heqjes së kufizimeve të udhëtimit për qytetin.
Shumica e tyre ktheheshin në shtëpitë ose punët e tyre jashtë Wuhan-it.
Shumë prej udhëtarëve u shprehën se përvoja e bllokimit në qytet është e paharrueshme:
"Jam shumë e emocionuar. Treni ynë niset në 07:06 të mëngjesit, por ne u ngritëm që në orën katër. Ishim shumë të gëzuar dhe nuk na zinte gjumi mbrëmë."
"Ne erdhëm në Wuhan më 19 janar dhe kishim planifikuar të ktheheshim më 26 janar, një ditë pas Vitit të Ri Kinez. Mbetëm të bllokuar këtu deri tani. Të them të drejtën, ndieja pak ankth e panik, por kam pasur besim përgjatë gjithë kësaj kohe që mund ta mposhtnim këtë virus. Kjo është një përvojë e paharrueshme ".
Më shumë se 200 trena u nisën të mërkurën nga Wuhan-i për në qytetet më të mëdha dhe qendrat ekonomike kineze.
Stacionet e trenave janë sterilizuar plotësisht dhe të gjithë udhëtarëve u matet temperatura dhe u kontrollohet kodi shëndetësor para se të hipin në tren.
Lin Min nga Zyra e Wuhan-it e Drejtorisë së Hekurudhave të Kinës jep disa këshilla për udhëtarët me tren:
"Pasi hyni në stacion ose hipni në tren, ju lutemi ndiqni me përpikëri masat e parandalimit dhe kontrollit. Mbani maskë gjatë gjithë udhëtimit, mbani një distancë të sigurt kur rreshtoheni dhe mos u mblidhni në grupe. Ju lutemi ndiqni këto rregulla për shëndetin tuaj. "
Grupi i parë prej 866 personash që mbetën në Wuhan gjatë mbylljes së qytetit, u kthye në Pekin përmes një treni me shpejtësi të lartë.
Rreth 1 000 veta pritet të vijnë në Pekin nga Wuhan-i çdo ditë me tren ose makinë.
Të gjithë të ardhurve nga Wuhan-i në Pekin u kërkohet të bëjnë dy teste të acidit nukleik para se të largohen dhe pasi të mbërrijnë.
Aeroporti Ndërkombëtar "Tianhe" i Wuhan-it gjithashtu ka rifilluar funksionimin për fluturimet e brendshme.
Aeroporti trajtoi më shumë se 200 fluturime hyrëse dhe dalëse ditën e mërkurë, me mbi 11 000 udhëtarë.