2020-04-05 12:36:49 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kapiteni i anijes "USS Theodore Roosevelt" Brett Crozier
Kapiteni i anijes "USS Theodore Roosevelt", Brett Crozier, u lirua ditët e fundit nga detyra, për shkak që u shkroi një letër drejtuesve të Marinës Amerikane, për t'u kërkuar të marrin masa të mbrojnë shëndetin e marinarëve në anije. Videoja e 3 prillit, kur ai u largua nga anija, u përhap gjerësisht në mediat shoqërore. Videoja tregon se si, kur ai po zbriste nga anija, në kuvertë pas tij kishte shumë anëtarë të ekuipazhit që kishin dalë për ta përcjellë.
Arsyeja e lirimit nga detyra të kapitenit është një letër. Sipas njoftimeve të 31 marsit të gazetës "San Francisco Chronicle", Brett Crozier shkroi një letër me 4 faqe me titullin "Kërkojmë të na ndihmoni përballë koronavirusit". Në atë kohë, në anijen "USS Theodore Roosevelt" kishte mbi 100 të infektuar nga koronavirusi i ri. Në këtë letër thuhet se epidemia e koronavirusit të ri po përkeqësohet në anije: shumë njerëz në një hapësirë të vogël, marinarët përdornin së bashku dhomat, tualetet, kompjuterat etj. Me gjithë dezinfektimin dhe pastrimin e shpeshtë dhe izolimin brenda mundësive të tyre, s'mund të shmangej përhapja e virusit. Kapiteni u kërkonte niveleve të larta të Marinës Amerikane të lejonin të gjithë anëtarët e ekuipazhit të anijes të zbrisnin dhe të merrnin masat e izolimit.
Pas dërgimit të letrës, problemi nuk u zgjidh shpejt. Sipas "San Francisco Chronicle", duke iu përgjigjur pyetjeve mbi masat lidhur me "USS Theodore Roosevelt", presidenti amerikan Donald Trump tha se vendimi do të merrej nga ushtria.
Kjo letër u vu menjëherë në fokus të mediave amerikane. Nën presion, Departamenti amerikan i Mbrojtjes po bën testimin e marinarëve. Por njëkohësisht kapiteni Crozier u lirua nga detyra me arsyen e "forcës së dobët gjykuese".
Lidhur me këtë veprim, shoqëria amerikane ka reaguar. Shumë media amerikane publikuan artikuj, ku e vlerësojnë kapitenin e liruar nga detyra si hero. Në një artikull të gazetës "New York Times" thuhet se ai ka sakrifikuar karrierën e tij në forcat detare duke shkruar këtë letër për ndalimin e përhapjes së koronavirusit në anije. Në artikull thuhet se Crozier është një ushtar i ndershëm që hoqi dorë nga e ardhmja e tij për të mbrojtur jetën e ushtarëve.
Përveç mediave, edhe publiku amerikan ka shprehur në median shoqërore përkrahjen për Crozier-in dhe zemërimin ndaj qeverisë amerikane. (Çang Çuo)