2020-04-03 10:04:15 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Një raport zyrtar tregon se numri i kërkesave fillestare për asistencë papunësie në Shtetet e Bashkuara u rrit me 3.3 milionë, duke arritur në 6.7 milionë javën e kaluar, teksa COVID-19 po shkatërron ekonominë.
Në javën e mëparshme shifra u rrit ndjeshëm me 3 milionë, duke arritur një rekord prej 3.3 milionë.
Kreu i Zyrës së "Bankrate" për Uashingtonin dhe analisti i lartë ekonomik Mark Hamrick shprehet:
"Po përjetojmë qartazi diçka si kurrë më parë në jetën tonë dhe, në njëfarë mënyre, kurrë në historinë tonë, sepse ajo që është mjaft e veçantë dhe që po e përjetojmë çdo ditë, është se disa fusha të ekonomisë janë ndalur."
Numri paraprak i papunësisë së siguruar gjatë javës që përfundoi më 21 mars ishte mbi 3 milionë, me një rritje prej rreth 1.2 milionë nga java e mëparshme.
Ky është niveli më i lartë në shtatë vjet.
Ekonomisti i lartë i "Glassdoor" Daniel Zhao tregon arsyet e rritjes së kërkesave për asistencë papunësie:
"Është e rëndësishme të kuptojmë se rritja e kërkesave për asistencë papunësie është një përgjigje e qëllimshme politikash ndaj një krize të shëndetit publik. Por çështja është se kur do të fillojnë të ulen këto kërkesa dhe në çfarë niveli."
Gjithnjë e më shumë shtete dhe autoritete vendore i kanë mbyllur bizneset jothelbësore dhe i kanë urdhëruar banorët të qëndrojnë në shtëpi për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
Për të zbutur ndikimin ekonomik të epidemisë, Kongresi i ShBA-së ka miratuar një paketë ndihme prej 2 trilion dollarësh, e cila përfshin masat për të stabilizuar tregun e punës.