Shkalla e funksionimit të ndërmarrjeve industriale mbi madhësinë e caktuar arrin në 98.6%

2020-03-30 17:06:59 CRI Komenti juaj Printoni

Më 30 mars, Zyra e Shtypit e Këshillit të Shtetit të Kinës mbajti një konferencë shtypi për të prezantuar gjendjen përkatëse të rifillimit të punës dhe të prodhimit. Zv.ministri kinez i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit Xin Guobin vuri në dukje se deri më 28 mars, përqindja e rifillimit të prodhimit dhe të punës së ndërmarrjeve mbi madhësinë e caktuar në mbarë vendin arriti në 98.6%, ndërsa ajo e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme arriti në 76%. Ai u shpreh se në përgjithësi ndikimi i epidemisë ndaj ekonomisë industriale është i kontrollueshëm dhe nuk do të ndikojë negativisht prirjen pozitive të ekonomisë industriale.

Sipas zv.ministrit, provincat Guangdong, Jiangsu, Zhejiang, Shandong, Fujian dhe krahina të tjera të mëdha industriale kanë rinisur plotësisht punën. Duke u udhëhequr nga disa ndërmarrje kryesore, një numër i madh i ndërmarrjeve të mesme, të vogla dhe mikro kanë përshpejtuar rifillimin e punës dhe prodhimit. Aktualisht, niveli i funksionimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ka tejkaluar 70%.

"Sipas vëzhgimeve të fundit të ministrisë sonë, shumica e krahinave reflektojnë se veprimtaria ekonomike industriale në muajin mars ishte dukshëm më e mirë sesa në dy muajt e mëparshëm dhe përqindja e shfrytëzimit të kapacitetit të disa industrive është ngritur në mënyrë të vazhdueshme. Prodhimi i materialeve të parandalimit të epidemisë, nevojave ditore dhe produkteve bujqësore ka ruajtur një prirje të shpejtë të rritjes. Industritë e ushqimit dhe nevojave të tjera ditore janë në përgjithësi të qëndrueshme, mjetet e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, të tilla si veshjet mbrojtëse mjekësore, maska dhe industri të tjera të lidhura janë rritur fuqimisht; disa produkte të teknologjisë së lartë janë rritur kundër parashikimit, disa pajisje ndihmuese të konsumatorit, si orët inteligjente dhe fitbit (matës aktiviteti dhe monitorues zemre) si dhe pajisje të teknologjisë së lartë, si pajisje gjysmëpërçuese diskrete kanë ruajtur shpejtësi të lartë të rritjes," tha zv.ministri.

Xin Guobin shtoi se që nga muaji mars, pavarësisht se gjendja epidemike në Kinë është frenuar gradualisht, gjendja në vendet e tjera të botës nuk është aspak optimiste, gjë që ka çuar në tkurrje të prodhimit dhe të konsumit në vendet e goditura, luhatje të shpeshta në bursë dhe rrezik për recesion ekonomik botëror. Ai shprehu besimin se kjo gjendje do të ketë në mënyrë të pashmangshme një ndikim të madh në zinxhirin industrial dhe të furnizimit të Kinës. Për këtë qëllim, Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit do të ndjekë nga afër zhvillimin e gjendjes dhe do të përgatisë përgjigje paraprake për të përmirësuar stabilitetin e zinxhirit global të furnizimit. Ai gjithashtu theksoi se epidemia nuk do të ndryshojë prirjen e përmirësimit të vazhdueshëm të ekonomisë industriale të Kinës. (Vera/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore