2020-03-23 21:55:17 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Gjatë një interviste ditët e fundit për mediat amerikane, drejtori i Institutit të Kërkimeve Farmakologjike "Mario Negri", doktor Giuseppe Remuzzi tha se koronavirusi që ka shkaktuar pandeminë globale mund të ketë qenë prezent në Itali që në muajin nëntor 2019. Para kësaj, kryetari i Organizatës së Kontrollit të Epidemisë të ShBA-së Robert Redfield pohoi se një numër amerikanësh që humbën jetën nga gripi i vitit të kaluar, në fakt mund të kenë vdekur nga koronavirusi i ri.
Burimi i koronavirusit është një problem shkencor dhe duhet të përgjigjet nga shkencëtarët. Akademiku kinez Zhong Nanshan vuri në dukje qartazi se kjo epidemi shpërtheu në fillim në Wuhan, por ka mundësi që virusi nuk e kishte burimin nga kryeqendra e Hubei-t.
Përballë pandemisë së ashpër që ka gjunjëzuar botën, misioni më urgjent është bashkëpunimi i të gjitha vendeve. Por fatkeqësisht, disa politikanë amerikanë nuk janë të këtij mendimi. Për ditë me radhë, nga presidenti deri te sekretari i Shtetit, nga kongresmenë e deri te gazetarë, e kanë quajtur koronavirusin e ri si "virusi kinez", pa përfillur emërtimin zyrtar të OBSh-së si dhe paralajmërimin e kësaj organizate.
Në konferencën e shtypit të 19 marsit të Shtëpisë së Bardhë, një fotograf i gazetës "The Washington Post" zbuloi në fotografinë e tij se në tekstin e fjalimit të Trump-it u shkrua "korona" virus, por "korona" u ndryshua me dorë si "kinez". Ky lajm ngjalli indinjatë të madhe në Kinë dhe habiti opinionin publik botëror.
Sipas të dhënave të publikuara nga Universiteti John Hopkins më 23 mars, gjatë 24 orëve të fundit, në ShBA u shtuan 8496 raste të reja të konfirmuara dhe kjo shifër radhitet në vendin e tretë në mbarë globin. Gjatë dy javëve të kaluara, në tregjet aksionare amerikane ndodhën 4 "ndërprerje" dhe treguesi "Dow" ra në nivelin e katër vjetëve më parë. Recesioni duket i pashmangshëm. Të gjitha dukuritë tregojnë se epidemia po përhapet vazhdimisht në ShBA dhe ka goditur shumë rëndë ekonominë e shoqërinë amerikane.
Politikanët amerikanë e kanë shumë të qartë këtë, por për t'iu shmangur akuzave dhe për të fituar më shumë vota në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, qeveria e Trump-it fajëson Kinën si alternativa e parë. Gazetarja britanike e "Sky News", Amanda Walker vuri në dukje se Trumpi ka shtuar qëllimisht frekuencën e përdorimit të "virusit kinez", sepse "nëse do të vdisnin miliona amerikanë, ai do të mbajë përgjegjësi. Ndërsa përdorimi i 'virusi kinez' është një mënyrë për shmangien e akuzave."
Ndërkohë, CNN-i njoftoi se me shtimin dita-ditës të numrit të të prekurve me koronavirus në ShBA, Trumpi orvatet ta bëjë Kinën kokë turku.
Për politikanët amerikanë, fajësimi i Kinës ndoshta është metoda më e thjeshtë dhe më efikase për bindjen e masave amerikane. Por për shoqërinë e njerëzimit, përpara një virusi të panjohur, çdo fajësim e vetëgënjim do të keqdrejtojë gjykimin për gjendjen epidemike dhe do të acarojë përhapjen e epidemisë. (Wang Lei/Albana)