2020-03-20 14:15:35 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Ditët e fundit, presidenti i ShBA-së Donald Trump përdori disa herë shprehjen "virusi kinez" për COVID-19, gjë që ngjalli zemërimin publik në përmasën globale. Bashkësia ndërkombëtare shprehu kritika se kjo shprehje përmban ngjyrim të dukshëm racizmi dhe e drejton enkas përballimin e epidemisë në rrugën e errët drejt urrejtjes raciale.
Lidhur me këtë, drejtori ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSh-së Michael Ryan u shpreh të mërkurën në Gjenevë se virusi nuk ka kufi. "Kur pandemia e H1N1-së u përhap në vitin 2009 në Amerikën Veriore, nuk e quajtëm atë 'gripi i Amerikës Veriore'," theksoi Ryan në një konferencë shtypi.
Po atë ditë, kryebashkiaku i San-Franciskos London Breed bëri një deklaratë, ku e kritikoi veprimin e liderit të vendit të vet si "të pasjellshëm". Në deklaratën e tij ai vuri në dukje se "kjo është një sëmundje që ndikon të gjithë njerëzit në botë dhe duhet të dëgjojmë opinionin e ekspertëve të shëndetit publik dhe ta përballojmë së bashku".
Për këtë, Grupi Mediatik i Kinës publikoi një koment, ku ndër të tjera thuhet:
"Është e dukshme se, si në bashkësinë ndërkombëtare, ashtu edhe në ShBA, ka personalitete që janë kundër kësaj shprehjeje të presidentit amerikan. Faktikisht, me zbulimin e pandërprerë të problemeve në punën e parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë në ShBA, gjithnjë e më shumë njerëz kanë vërë re, se përveç kritikave me fjalë, politikanët amerikanë nuk kanë bërë si duhet punën e tyre".
Në fillim të marsit, kryebashkiaku i Nju-Jorkut Bill de Blasio u shpreh në një intervistë se mungesa e kutive të testimit është arsyeja thelbësore e përkeqësimit të krizës. Ndërsa studiuesja e sëmundjeve ngjitëse në Universitetin e Uashingtonit, Helen Y. Chu, u shpreh ditët e fundit se, për shkak të burokracisë së qeverisë federale, thirrja e tyre për testimin e qytetarëve u shty për disa javë.
"Gjëja mjaft ironike është se, kur përhapja e virusit po përshpejtohet në ShBA, lidershipi në Uashington po përpiqet ta përballojë me mungesën e humanizmit e vetëmburrje, duke e hequr fajin nga vetja", thotë komenti i CMG-së
"Më 30 janar, kur Kina ndodhej në kohën më të vështirë të luftës kundër virusit, sekretari i Departamentit të Thesarit, Wilbur Ross, u shpreh në media se epidemia favorizon kthimin e vendeve të punës në ShBA. Më 28 shkurt, presidenti amerikan Donald Trump tha se epidemia e koronavirusit është një 'mashtrim i ri' i Partisë Demokratike. Më 4 mars, Trump-i bëri akuza se problemet përballë tij janë rezultat i një vendimi të Barak Obamës. Më 6 mars, sekretari i Shtetit Mike Pompeo e quajti virusin në një intervistë si 'virusi i Wuhan-it'. Ndërsa më 16 mars, duke iu përgjigjur pyetjes se si e vlerësonte punën e vet lidhur me përballimin e epidemisë, lideri amerikan u shpreh: 'Me notën 10' ," thuhet në koment.
Tani, në të 50 shtetet e ShBA-së janë raportuar raste të prekjes nga koronavirusi. Me përkeqësimin e situatës dhe shtimin e pakënaqësisë popullore, udhëheqësit amerikanë po shtojnë forcat përballuese. Në të njëjtën kohë, ata, për të ngatërruar opinionin publik, po përpiqen për ta zhvendosur fokusin, duke shtuar edhe stigmatizimin ndaj Kinës dhe duke shkelur vijën fundore morale.
Në fund të komentit të Grupit Mediatik të Kinës bëhet pyetja: "Para armikut të përbashkët të njerëzimit, ata politikanë amerikanë që po harxhojnë kohë për të folur, a mund të bëjnë veprime që janë në dobi të vërtetë të shëndetit të popullit?"