2020-03-19 15:43:48 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Zëdhënësi i MPJ-së kineze Geng Shuang thotë se Kina do të vazhdojë të angazhohet në mënyrë aktive në bashkëpunimin ndërkombëtar për të luftuar kundër koronavirusit të ri.
Zëdhënësi i diplomacisë kineze shtoi se Kina është e gatshme të ofrojë më shumë mbështetje për vendet e tjera, pas raundit të mëparshëm të ndihmave:
"Ne kemi njoftuar se do të ofrojmë ndihmë materiale kundër pandemisë brenda mundësive tona për vendet e ndryshme, përfshirë Italinë, Francën, Spanjën, Greqinë, Serbinë, Kamboxhian, Filipinet, Egjiptin, Afrikën e Jugut, Irakun, Etiopinë, Kazakistanin, Bjellorusinë, Kubën, Kili dhe Bashkimin Evropian. Ne mbështesim vendet mike të blejnë materiale mjekësore në tregun kinez".
Kina ka dhënë furnizime të mbrojtjes mjekësore për një numër vendesh aziatike, si dhe Bashkimin Afrikan, dhe i ka dhuruar OBSh-së 20 milionë dollarë amerikanë.
Kina gjithashtu ka dërguar ekspertë mjekësorë në vende si Irani, Iraku dhe Italia, dhe ka mbajtur videokonferenca me vendet e tjera për të shkëmbyer përvojat në luftimin e COVID-19.
Një tjetër videokonferencë do të zhvillohet sot midis zyrtarëve dhe ekspertëve të shëndetit publik të Kinës dhe mbi 10 vendeve evropiane.
------
Kina dërgon avion me ndihma në Itali
Një avion i posaçëm me 12 ekspertë mjekësorë kinezë po shkon për në Milano, për të mbështetur luftën e Italisë kundër shpërthimit të koronavirusit.
Në avion ka gjithashtu mbi 17 tonë furnizime.
Ekspertët janë nga spitale të ndryshme dhe Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e Zhejiang-ut.
Furnizimet përfshijnë ilaçe, reagentë testimi, veshje mbrojtëse e pajisje për njësitë e kujdesit intensiv, si ventilatorët e monitorët.
Ekipi mjekësor është i dyti që Kina dërgon në Itali, vendi më i goditur në Evropë.
Një ekip mjekësor prej 9 anëtarësh nga Sichuan-i mbërriti në Itali javën e kaluar.
Deri më tani, Italia ka raportuar mbi 35 mijë raste me COVID-19 dhe gati 3 mijë vdekje.
-------
Kina dërgon pajisje mjekësore për të mbështetur luftën e Francës kundër koronavirusit
Franca ka marrë pajisje mjekësore nga Kina për të ndihmuar në luftimin e koronavirusit që po përhapet me shpejtësi.
Ambasadori kinez në Francë Lu Shaye thotë se paketa e ndihmës përfshin maska, kostume mbrojtëse dhe doreza mjekësore.
"Në momentin kyç kur Kina luftonte kundër epidemisë, qeveria dhe populli francez na dhanë furnizime mjekësore, gjë që ne e vlerësuam. Tani me përhapjen e pandemisë, Franca dhe Evropa përballen me një sfidë serioze dhe Kina është e gatshme për t'i ofruar ndihmë Francës," tha Lu.
Ambasadori shtoi se Kina dhe Franca kanë bërë punë të përbashkët mbi reagentët për diagnostikimin e shpejtë të virusit dhe kanë kryer hulumtime për vaksinat e COVID-19.
Shkencëtarët nga të dy vendet po kryejnë studime zbatueshmërie për prodhimin e barnave të bazuara në antitrupa.
Kina gjithashtu planifikon të zhvillojë një videokonferencë me vendet evropiane për të diskutuar planet e parandalimit, kontrollit, diagnostikimit dhe trajtimit të sëmundjes.