Kina vlerëson mbështetjen nga shteti amerikan i Jutahut

2020-03-19 12:30:03 CRI Komenti juaj Printoni

Zëdhënësi i MPJ-së kineze Geng Shuang u shpreh të mërkurën pasdite se Kina vlerëson pozitivisht projektrezolutën e miratuar nga shteti amerikan i Jutahut mbi mbështetjen e luftës së popullit kinez kundër COVID-19.

Më 12 mars, Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati i shtetit Jutah kanë miratuar një projektrezolutë të përbashkët, ku pohohet miqësia mes Jutahut e Kinës dhe theksohet që Kongresi dhe guvenatori i Jutahut përkrahin përpjekjet e popullit kinez kundër epidemisë.

Lidhur me këtë, Geng Shuang-u vuri në dukje:

"Ndoshta ju kujtohet që, pak kohë më parë, nxënësit në Jutah kanë treguar mbështetje për Kinën e Wuhan-in me këngën e tyre dhe kjo video është vlerësuar gjerësisht në internet. Kjo tregon plotësisht miqësinë e popullit të Jutahut për popullin kinez dhe ka prekur shumë njerëz. Qysh nga fillimi i epidemisë, shumë qytete dhe shtete në ShBA, si Kalifornia, kanë shprehur ngushëllime dhe mbështetje për krahinat e ndryshme të Kinës. Shumë ndërmarrje dhe qarqe të ndryshme të shoqërisë amerikane kanë dhënë mbështetje me fonde ose materiale për palën kineze. Kohët e fundit, epidemia është përhapur në shumë vende në ShBA dhe ndërmarrjet e qarqet shoqërore kineze kanë mbështetur aktivisht përpjekjet e popullit amerikan kundër epidemisë."

Zëdhënësi i diplomacisë kineze u shpreh që epidemia nuk ka kufi dhe vendet e ndryshme duhet ta përballojnë atë së bashku. Kina është e gatshme të shtojë lidhjet e bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare, duke përfshirë ShBA-në, për të përballuar sfidat dhe për të ruajtur sigurinë e shëndetit publik global.

Mrekulli
Lajmet Kryesore