2020-03-18 10:16:35 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Bashkia e Pekinit ka nxjerrë dhjetë udhëzime për të siguruar rifillimin e rregullt të punës në qytet, në mes të shpërthimit të COVID-19.
Udhëzimet përqendrohen kryesisht në sektorë si ushqimi, strehimi, pajisjet mjekësore dhe transporti.
Zv.kryetari i Komisionit të Zhvillimit dhe Reformës të Pekinit Lin Enquan bën të ditur:
"Ne do të publikojmë dhe përditësojmë listën e kompanive të përcaktuara të furnizimit dhe shpërndarjes së ushqimeve në qytet. Ato do të ofrojnë shërbime të rregullta shpërndarjeje dhe blerjeje urgjente për ndërmarrjet. Deri më tani, kemi organizuar mbi 100 kompani ushqimore dhe mbi 2 700 restorante për të ofruar shërbime të vakteve për grupe."
Që nga nisja e epidemisë, punonjësit e shpërndarjes nuk lejohen të hyjnë në blloqet e banimit për të parandaluar përhapjen e virusit.
Lin thotë se tani ata mund të hyjnë në disa blloqe banimi për të dorëzuar ushqime ose pako pa kontakt.
Bashkia gjithashtu do të ofrojë hotele karantine me çmim të përballueshëm për punëtorët nga jashtë Pekinit dhe ka organizuar mbi 1 000 automjete mallrash për të ofruar shërbime të transportit urgjent për ndërmarrjet.
Shumë nga qytetet kryesore të Kinës kanë nxjerrë gjithashtu udhëzime për promovimin e rifillimit të punës.
Në Shangai, bashkia ka shkurtuar listën e aktiviteteve të biznesit që kanë nevojë për njoftimin dhe konfirmimin e saj për t'u rihapur.
Sallonet e bukurisë, internet-baret dhe stadiumet e hapura tani lejohen të rihapen pa konfirmim nga bashkia.
Në Guangzhou, bashkia po përdor teknologji të përparuar, të tilla si 5G, informatika cloud dhe të dhënat masive, për të ndihmuar në sigurimin e rifillimit të punës.
Bashkia gjithashtu ka krijuar një aplikacion për të regjistruar të gjitha të dhënat e shëndetit të qytetarëve, si dhe aplikon teknologjitë e njohjes së fytyrës dhe të matjes së temperaturës në aeroporte e stacionet e autobusëve dhe metrosë.
Sipas të dhënave, niveli i rinisjes së punës në shumicën e provincave në Kinë është mbi 90 %.