2020-03-17 15:55:02 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Më 12 mars natën vonë, një grup ekspertësh kinezë mbërriti në Romë për të ndihmuar Italinë për përballimin e epidemisë së COVID-19. Gjatë disa ditëve në vijim, nëntë ekspertët mjekësorë vizituan institucione mjekësore, si Kryqi i Kuq Italian, spitalin pranë Institutit Kombëtar të Studimit të Sëmundjeve Infektive, spitalin pranë Universitetit të Romës etj., duke ndarë përvojën kineze për parandalimin e kontrollin e epidemisë dhe për mjekimin e të prekurve nga COVID-19.
Drejtori i këtij grupi, nënkryetari i Kryqit të Kuq të Kinës Sun Shuopeng, tha se pala italiane shpreson në veçanti të njohë hollësisht programin e parandalimit e kontrollit të Kinës dhe përmbajtjet konkrete të diagnostikimit dhe të mjekimit.
"Brenda një muaji e gjysmë, Kina ka përditësuar gjashtë herë programin e parandalimit e kontrollit të epidemisë dhe shtatë herë përmbajtjen e diagnostikimit e të mjekimit. Çdo përditësim është bërë në bazë të kërkimeve shkencore, eksperimenteve klinike dhe praktikave të mjekimit. Kështu është formuar një rrugëzgjidhje komplekse dhe e përmirësuar përballë epidemisë. Kjo rrugëzgjidhje është pranuar nga gjithnjë e më shumë vende," tha Sun Shuopeng.
Më 14 mars, në spitalin pranë Universitetit të Romës, grupi i ekspertëve kinezë dhe mjekët klinikë italianë zhvilluan shkëmbime të thella mendimesh mbi detajet e kontrollit e mjekimit të epidemisë. Shefi i Departamentit të Kujdesit Intensiv, dr. Pugliese, tha se informacionet e ndara nga ekspertët kinezë janë shumë të vlefshme për luftën e Italisë kundër epidemisë:
"Ekspertët kinezë kanë theksuar herë pas here rëndësinë absolute të izolimit, që të shmanget infektimi brenda spitaleve. Këto informacione janë tepër të vlefshme. Nga aspekti i kujdesit intensiv, përvoja e tyre është gjithashtu e rëndësishme. I kemi studiuar shumë artikujt e publikuar nga mjekët kinezë mbi koronavirusin e ri, por shkëmbimet ballë për ballë janë më efektive."
Si pasojë e gjendjes së ashpër epidemike, Italia ka ndërmarrë një masë të paparë në historinë e saj, atë të mbylljes së qyteteve. Për këtë, drejtori i grupit të ekspertëve Sun Shuopeng tha se bllokimi i qyteteve shënon një kthesë në betejën kundër epidemisë, që do të thotë se qytetarët janë më të ndërgjegjshëm për vetëmbrojtjen dhe tregojnë më shumë vullnet për bashkëpunim. Tani në mbarë Italinë po veprohet aktivisht dhe efektivisht.
Sun-i është i mendimit se theksi, por edhe vështirësia e punës së mëvonshme të Italisë, është realizimi i "mjekimit të klasifikuar", d.m.th. ndarja e të infektuarve me simptoma të rënda nga ata me simptoma të lehta, si dhe personat në vëzhgim mjekësor, që ata të qëndrojnë të ndarë nga njëri-tjetri dhe të ndërpritet burimi i infektimit.
"Mjekimi me barna tradicionale kineze ka pasur rezultate konkrete në procesin e përballimit të epidemisë dhe pala italiane tregon vëmendje të madhe për këtë aspekt," bëri të ditur Sun-i.
Vizita e grupit të ekspertëve kinezë në Itali është vlerësuar lart nga opinioni publik italian dhe është pritur ngrohtësisht edhe në rrjetet sociale. Për këtë, Sun Shuopeng-u tha:
"Përballë pandemisë, asnjë vend nuk mund të qëndrojë i vetëm, sepse kjo është botë e ndërlidhur. Prandaj, ne po paraqitim përvojën kineze në vendet me gjendje epidemike më të rëndë. Ashtu siç tha presidenti Xi Jinping, ndihma humanitare nuk ka asnjë faktor politik shtesë dhe niset vetëm nga koncepti i bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit." (Wang Lei)