Kinë, ulet prodhimi industrial si pasojë e koronavirusit

2020-03-16 16:48:04 CRI Komenti juaj Printoni

Në dy muajt e parë të vitit 2020, prodhimi industrial me vlerë të shtuar i Kinës, një tregues i rëndësishëm ekonomik, ra me 13.5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo sipas specialistëve erdhi nga ndërprerja e aktivitetit të fabrikave dhe zinxhirët e furnizimit për shkak të shpërthimit të koronavirusit të tipit të ri.

Prodhimi nga industria prodhuese ra 15.7 për qind, ndërsa prodhimi dhe furnizimi me energji elektrike, energji termike, gaz dhe ujë raportoi një rënie me bazë vjetore prej 7.1 për qind.

Sipas Drejtorisë Kombëtare të Statistikave, edhe pse epidemia ka shkaktuar tronditje relativisht të mëdha në aktivitetet ekonomike, ndikimet janë kryesisht "afatshkurtra, të jashtme dhe të kontrollueshme".

Autoritetet thonë se ndërsa përhapja e virusit është nën kontroll, bazat e përmirësimit të ekonomisë së Kinës dhe prirja pozitive e rritjes në një periudhë afatgjate nuk kanë ndryshuar.

Të dhënat e së hënës pasqyruan edhe lexime të tjera të treguesve ekonomikë që pësuan goditje të mëdha nga COVID-19, gjë që do të tkurrë rritjen në tremujorin e parë.

Investimi në asete fikse ra 24.5 për qind, ndërsa shitjet me pakicë të mallrave të konsumit ranë 20.5 për qind në periudhën janar-shkurt.

Drejtoria Kombëtare e Statistikave shtoi se Kina do të miratojë makropolitika më të forta për të kompensuar ndikimet e virusit ndërsa stimulon gjallërinë e biznesit për të rikthyer normalitetin në veprimtarinë ekonomike. (Vera/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore