"Wall Street Journal" nën pretekstin e lirisë së fjalës, del kundër moralit profesional

2020-03-16 16:08:23 CRI Komenti juaj Printoni

Hijet e racizmit shfaqen herë pas here në shoqërinë amerikane. Përhapja e koronavirusit u ka shërbyer disave për të treguar racizmin e tyre. Për shembull, ditët e fundit, "Wall Street Journal" publikoi një koment me titullin "Kina është e sëmura e vërtetë e Azisë", ku nxitet diskriminimi racial kundër fakteve dhe moralit profesional të medias. Shprehja "E sëmura e Azisë" u përdor nga agresorët perëndimorë për të poshtëruar banorët kinezë gjatë dinastisë feudale Qing në shekullin e 19-të. Prandaj, kjo është një fyerje serioze për sakrificat e mëdha që kinezët kanë bërë për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë.

Profesoresha e studimeve etnike në Universitetin e Kalifornisë në Berkli Catherine Ceniza Choy u shpreh se opinioni i "Wall Street Journal"-it është "shumë i dëmshëm dhe i gabuar". Ajo është e mendimit se "publikimi i opinioneve të tilla nga media kryesore do të sjellë më shumë frikë e shqetësime, si dhe armiqësi ndaj kinezëve dhe aziatikëve në botë". Në të njëjtën kohë, 53 punonjës të "Wall Street Journal"-it i dërguan një letër të përbashkët drejtuesve të gazetës për rishikimin e titullit dhe për t'u kërkuar ndjesë të ofenduarve. Mbi 100 mijë kinezo-amerikanë bënë një peticion në uebsajtin e Shtëpisë së Bardhë për ta nxitur gazetën të kërkojë falje.

Mirëpo, "Wall Street Journal"-i e mbajti të pandryshuar qëndrimin e vet, duke mos pranuar të korrigjojë gabimin, me pretekste si "pavarësi e redaktimit" dhe "ndarja e lajmit nga komenti". Kurse kolegji "Bard", ku punon autori i artikullit, Walter Russell Mead, reagoi se "e respekton lirinë e medias". Pasi Kina tërhoqi akreditimin e tre gazetarëve të "Wall Street Journal"-it, sekretari i Shtetit i ShBA-së Mike Pompeo përdori "lirinë e fjalës" për të mbrojtur gazetën.

Në shoqërinë amerikane, ka disa njerëz që nuk guxojnë të shohin në mënyrë të drejtë problemin e racizmit. Kështu që, me përhapjen e virusit, në ShBA kanë ndodhur shpesh sulme ndaj qytetarëve me prejardhje aziatike. Në të njëjtën kohë, incidenti i "Wall Street Journal"-it nxjerr në pah edhe hipokrizinë e standardet e dyfishta të palës amerikane për të ashtuquajturën "liri të fjalës".

Për shembull, në janarin e sivjetshëm, gazetarja amerikane Mary Louise Kelly nga Radioja Publike Kombëtare pësoi fyerje të rënda nga Pompeo në një sallë private mbledhjesh, pasi bëri një pyetje në publik lidhur me problemin e Ukrainës. Pas disa ditësh, Pompeo hoqi një gazetar tjetër të Radios Publike Kombëtare (NPR) nga lista e gazetarëve gjatë vizitës së tij jashtë vendit. Lidhur me këtë, NPR dhe Shoqata e Gazetarëve e ShBA-së shprehën dënim njëzëri. Pra, këtë herë, pse z. Pompeo nuk propozoi "lirinë e fjalës"?

Për çdo shoqëri, diskriminimi racial është helmues. Për çdo media, raportimi kundër moralit profesional dëmton reputacionin e saj. Artikulli i "Wall Street Journal", që ka mbetur në uebsajtin e tij, do të jetë një njollë e përhershme mbi fytyrën e kësaj gazete mbi 100-vjeçare.

Mrekulli
Lajmet Kryesore