2020-03-15 13:33:24 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Masat e parandalimit dhe të kontrollit të koronavirusit të ri në Evropë dhe ShBA u forcuan në mënyrë të gjithanshme brenda një dite.
Të premten presidenti amerikan Donald Trump shpalli emergjencën kombëtare dhe njoftoi dhënien e një ndihme federale prej 50 miliardë dollarësh amerikanë për të frenuar shpërthimin e COVID-19 në tërë vend.
Edhe Republika Çeke, Spanja, Polonia etj. shpallën emergjencat e shëndetit kombëtar për frenimin e shpërthimit të COVID-19. Franca ka ndaluar grumbullimet e më shumë se 100 vetave dhe do të mbyllë shkollat qysh nga e hëna e ardhshme.
Të premten, Sekretari i Përgjithshëm i OBSh-së Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se Evropa është bërë tani qendra e pandemisë.
Në këtë sfond, disa media perëndimore pranuan se, pasi humbën kohën e çmuar të dhënë nga Kina, nëse vendet e tjera nuk marrin veprime aktive, goditjet ekonomike e politike të epidemisë mund të dalin jashtë kontrollit.
Si duhet të bëhet bashkërendimi global? Gjatë bisedës telefonike mes kryetarit të shtetit të Kinës Xi Jinping dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, u dhanë shumë informacione të rëndësishme. Për shembull, lideri më i lartë i Kinës theksoi se njerëzimi është një bashkësi fatesh të përbashkëta. "Bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmarrë veprime më të shpejta, për të zhvilluar bashkëpunimin ndërkombëtar për frenimin e shpërthimit të COVID-19," theksoi Xi. Ai u shpreh gjithashtu se Kina dëshiron të ndajë përvojën e parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, të zhvillojë studimet mbi ilaçet e vaksinat dhe të ofrojë ndihmën e mundshme ndaj vendeve me numrin e madh të të prekurve nga COVID-19.
Kina ka marrë pjesë në luftën kundër epidemisë globale me veprime konkrete. Shumë specialistë kinezë zhvilluan videokonferenca me specialistët e OBSh-së dhe italianë. Kina u ofroi materiale të ndihmës mjekësore Pakistanit, Japonisë, Koresë së Jugut, Bashkimit Afrikan etj. dhe dërgoi specialistë mjekësorë në Iran, Irak, Itali etj. për t'i ndihmuar këto vende në luftën kundër epidemisë. Qeveria kineze i dhuroi 20 milionë dollarë amerikane OBSh-së për të ndihmuar vendet në zhvillim.
Veprimet e Kinës janë vlerësuar lart nga OKB-ja, OBSh-ja etj. Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh të premten se informacionet dhe përvojat që ka ndarë Kina me ShBA-në janë një ndihmë shumë e madhe dhe se Kina ka arritur rezultate të dukshme në kontrollin e epidemisë. Disa kompani mjekësore po zhvillojnë bashkëpunim të gjithanshëm me ekspertët kinezë.
Epidemia është armiku i përbashkët i njerëzimit. Bashkëpunimi është rruga e vetme e bashkësisë ndërkombëtare. Sa më shpejt të ndërmerren masa të forta në bashkërendimin e politikave, përdorimin e fondeve, shpërndarjen e informacionit, studimin shkencor, shkëmbimin e metodave parandaluese, aq më shpejt do të frenohet shpërthimi i koronavirusit.
(Xu Guang)