OBSh-ja: Kërcënimi për pandemi është "shumë real"

2020-03-10 09:45:47 CRI Komenti juaj Printoni

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë është shprehur se kërcënimi për një pandemi të shkaktuar nga COVID-19 është bërë shumë real me shtrirjen e virusit në mbi 100 vende të botës.

Megjithatë, Tedros Adhamnom Ghebreyesus shprehu besimin se virusi mund të vihet nën kontroll:

"Është sigurisht shqetësuese që kaq shumë njerëz dhe vende janë prekur kaq shpejt. Tani që virusi ka prekur kaq shumë vende, kërcënimi për një pandemi është bërë shumë real. Por kjo mund të jetë edhe pandemia e parë në histori që mund të kontrollohet. Kryesorja është se nuk i jemi nënshtruar virusit".

Mbi 100 mijë raste të infektimit nga virusi COVID-19 janë raportuar në mbi 100 vende të botës.

Kreu i OBSh-së theksoi nevojën e veprimeve të hershme e të vendosura për të frenuar përhapjen e virusit dhe për të parandaluar infektimin e mëtejshëm.

Sipas tij, ndër të gjitha rastet e konfirmuara, 93% janë të përqendruara në katër vende.

Ghebreyesus-i shtoi se mbi 70 % e 80 mijë të të prekurve në Kinë janë shëruar dhe kanë dalë nga spitali.

Deri tani, OBSh-ja nuk e ka cilësuar epideminë e kësaj here si një pandemi për të shmangur përhapjen e frikës në botë dhe humbjen e shpresës nga vendet e ndryshme gjatë procesit të kontrollit.

Mirëpo, shumë ekspertë janë shprehur se janë përmbushur kriteret për pandemi, sepse virusi ka prekur të gjitha kontinentet përveç Antarktikës.

(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore