2020-03-06 15:10:38 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Që nga shpërthimi i koronavirusit të tipit të ri në Kinë, disa media dhe politikanë perëndimorë po shtrëmbërojnë faktet, po fabrikojnë thashetheme dhe po përbaltin Kinën, madje po përhapin diskriminim racial dhe po përpiqen të ngjallin urrejtje ndaj popullit kinez, gjë që ka shfaqur plotësisht fytyrën e tyre të vërtetë hipokrite, që fshihet nën deklaratat për objektivitet, drejtësi, liri dhe demokraci.
Në gazetën daneze "Jyllands Posten" u botua një karikaturë që fyen flamurin kombëtar të Kinës me "zbukurimin" e koronavirusit. Në revistën gjermane "Der Spiegel" virusi CONVID-19 u quajt "Made in China". Ditët e fundit, gazeta amerikane "The Wall Street Journal" publikoi artikullin "Kina është e sëmura e vërtetë e Azisë Lindore", që fyen rëndë ndjenjat e popullit kinez, sepse ky titull u përdor për të poshtëruar banorët kinezë nga agresorët perëndimorë në dinastinë feudale Qing në shekullin e 19-të. Folësi i emisionit të lajmeve të televizionit amerikan "Fox" Jesse Watters tha në mënyrë absurde që Kina duhet t'i kërkojë ndjesë botës. Në të njëjtën kohë, sekretari i Departamentit të Thesarit të ShBA-së, Wilbur Ross, u shpreh në mënyrë të hapur se epidemia në Kinë favorizon kthimin e vendeve të punës në ShBA. Për këtë, gazetari australian John Pilger u shpreh: "Me pretekstin e koronavirusit, ShBA-ja dhe aleatët e saj po nisin një luftë ndaj Kinës".
Të gjithë njerëzit e arsyeshëm e dinë se sëmundja është armike e përbashkët e gjithë njerëzimit. Përballë çfarëdo virusi, bashkëpunimi i ngushtë i komunitetit ndërkombëtar është metoda më efektive për ta mposhtur atë. Me përhapjen e epidemisë, disa media dhe politikanë perëndimorë po përhapin gjithashtu urrejtje ndaj Kinës, duke i varur te virusi shpresat e tyre për të penguar zhvillimin e Kinës. Ndërsa, në të njëjtën kohë, Kina po mobilizon forcat e gjithë vendit për të luftuar epideminë, duke fituar kohë të vyer për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së epidemisë në vende të tjera. Se kush ka të drejtë, kjo mund të dallohet menjëherë prej cilitdo. Themeluesja e Institutit "Schiller" të Gjermanisë, Helga Zepp-LaRouche, vuri në dukje se njoftime të tilla në mediat perëndimore tregojnë plotësisht racizmin e rrënjosur në "vlerat perëndimore".
Ditët e fundit, përhapja e koronavirusit është frenuar dukshëm në Kinë, ku numri i rasteve të reja ka rënë ndjeshëm dhe ai i të shëruarve po rritet pandërprerë. Koha më e vështirë dhe më e rrezikshme në Kinë pothuajse po kalon. Ndërkohë, Kina po dërgon ekipe mjekësore dhe ndihma materiale në vendet e prekura më rëndë nga koronavirusi. Masat dhe veprimet e Kinës janë vlerësuar dhe mirëpritur gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar.
Fjalët e pacipa të disa mediave dhe politikanëve perëndimorë vërtetojnë se, pavarësisht se ata janë të shëndetshëm në trup, mendja e tyre është e sëmurë rëndë nga ndjenja e superioritetit dhe e arrogancës. Kështu që, përveç virusit që shkakton pneumoninë, duhet të luftojmë kundër virusit mendor të një grupi njerëzish.