2020-03-06 10:11:45 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Një zyrtar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka nxitur vendet e tjera të mësojnë nga përvoja e Kinës në luftën kundër koronavirusit të ri.
Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Zimbabve Alex Gasasira e ka përshëndetur reagimin transparent të Kinës ndaj COVID-19 që nga fillimi i epidemisë:
"Qeveria kineze ftoi një ekip ndërkombëtar ekspertësh, të cilët ishin në Kinë për disa javë dhe panë situatën aty. Së bashku me ato që mësuan nga ekspertët kinezë, ata publikuan një raport me përvojë dhe rekomandime shumë të mira për vendet e tjera që tashmë kanë konfirmuar raste, si dhe për vende si Zimbabve, të cilat nuk kanë raste të konfirmuara."
Gasasira thotë se Kina ka bërë përparim të konsiderueshëm në kontrollin e epidemisë, me numrin e rasteve të reja dhe të vdekjeve në rënie të vazhdueshme.
Sipas tij, kjo ofron një përvojë të vyer, nga e cila mund të mësojnë vendet e tjera:
"Kjo është një sëmundje e re. Meqenëse Kina kishte numrin më të madh të pacientëve, ata kanë përvojën më të madhe dhe njohuritë më të shumta. Shumë shkencëtarë kinezë kanë bërë tashmë një numër të madh studimesh, sepse kanë përvojë të cilën vendet e tjera nuk e kanë. Prandaj ne mirëpresim solidaritetin dhe shkëmbimin e informacionit."
Gasasira shtoi që Zimbabve, një vend i Afrikës Jugore, duhet të sigurojë më shumë mjedise izolimi për pacientët e dyshuar.
Kina ka premtuar se do të ndihmojë në ristrukturimin e Spitalit "Wilkins" të Harares, objekti i përcaktuar për të trajtuar rastet e dyshuara të koronavirusit. Kjo është përshëndetur nga ministri i Shëndetësisë dhe Kujdesit për Fëmijët i Zimbabves Obadiah Moyo.
"Ata do të na ndihmojnë të përgatisim objektin tonë dhe të sigurohemi që gjithçka të jetë në përputhje me kërkesat e Organizatës Botërore të Shëndetit," u shpreh Moyo.