Kinë, do të fillojë semestri i pranverës në dy provinca

2020-03-04 10:32:53 CRI Komenti juaj Printoni

Dy provinca në Kinë kanë publikuar planet e tyre për fillimin e semestrit të pranverës për nxënësit dhe studentët, pasi epidemia COVID-19 është vënë gradualisht nën kontroll.

Provinca Guizhou e Kinës Jugperëndimore dhe Qinghai në Kinën Perëndimore janë të parat që planifikojnë të fillojnë mësimdhënien në shkolla.

Ky vendim është marrë pasi dy provincat kanë ulur nivelin e reagimit emergjent nga niveli më i lartë në atë të 3-të, duke mos pasur për mbi 10 ditë radhas raste të konfirmuara infektimi.

Në provincën Guizhou, vetëm nxënësit e vitit të 3-të të ciklit të ulët të shkollës së mesme dhe ata të vitit të 3-të të ciklit të lartë të shkollës së mesme janë lejuar të fillojnë mësimin në shkollë më 16 mars. Ndërsa për nxënësit e të gjitha viteve të tjera do të vijojë shtyrja.

Drejtori i Drejtorisë Arsimore të Guizhou-t Zou Lianke thotë:

"Ne do të monitorojmë nga afër gjendjen në kampuset shkollore, udhëtimet vajtje-ardhje për në shkollë dhe kohëzgjatjen e qëndrimit të nxënësve në shtëpi. Ne do të marrim masa të sakta parandaluese dhe kontrolluese për të garantuar që mësimi në shkollë të bëhet i sigurt dhe pa probleme," thotë Zou Lianke.

Në provincën Qinghai, nxënësit e ciklit të lartë të shkollës së mesme dhe të shkollave profesionale do të fillojnë mësimin të hënën e ardhshme. Kurse nxënësit e ciklit të ulët të shkollës së mesme do të shkojnë në shkollë një javë më vonë.

Disa krahina në Kinë kanë deklaruar që asnjë shkollë nuk do të fillojë semestrin e ri në gjendjen e tanishme.

Shangai dhe provincat Anhui e Jiangsu kanë marrë vendim që të përdoret mësimi në internet.

Profesori Li Liguo nga Universiteti Renmin thotë që mësimdhënia në internet kërkon që të bëhen disa rregullime:

"Në internet, mësuesit nuk duhet të japin të njëjtat mësime si në shkollë. Përparësi duhet të kenë thelbi dhe konceptet bazë. Nxënësit duhet të bëjnë planet e vetëstudimit dhe të ndërlidhen me mësuesit nëpërmjet internetit. Ndërkohë, ata duhet të bëjnë ushtrime fizike në shtëpi dhe disa punë shtëpiake."

Profesori Li Liguo theksoi që prindërit luajnë një rol shumë të rëndësishëm në mbikëqyrjen e fëmijëve dhe formimin e zakoneve të mira prej tyre.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore