2020-02-26 09:44:40 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Të gjitha zonat e banuara në Wuhan kanë qenë të bllokuara që nga 11 shkurti, si pjesë e përpjekjeve për të minimizuar lëvizjen e njerëzve dhe për të penguar përhapjen e koronavirusit të ri.
Banorët mund t'i porosisin mallrat e përdorimit të përditshëm nëpërmjet blerjeve në grup në internet.
Sidoqoftë, të moshuarit dhe ata që kanë nevoja të veçanta duhet të mbështeten te ndihma e punonjësve të komunitetit dhe vullnetarëve për t'i marrë këto furnizime.
33-vjeçari Peng Jing është udhëheqëse e punonjësve të komunitetit dhe vullnetarëve në distriktin Wuchang.
Ajo dhe pjesëtarët e tjerë të grupit të saj shkojnë përditë nëpër supermarkete dhe farmaci për të marrë ato që kanë porositur banorët në internet.
Peng Jing thotë se ka punuar në komunitet për më shumë se një dekadë dhe shpërthimi i koronavirusit e ka përtërirë vlerësimin e saj për punën që bën:
"Si punonjëse komuniteti, kurrë nuk e kam menduar se do të isha kaq e rëndësishme për banorët. Askush nuk ishte i përgatitur për këtë detyrë kur nisi epidemia. Por unë jam e kënaqur që asnjë nga shokët e mi të ekipit nuk ka hequr dorë përballë kësaj sfide."
Komuniteti për të cilin punon Peng Jing-u, ka mbi 4 200 familje, por ka gjithsej 11 punonjës komuniteti.
Për fat të mirë, disa banorë kanë dalë vullnetarë për të ndihmuar.
Fu Yunlong është një prej tyre. Ai ka fituar respektin e punëtorëve të komunitetit.
"Dola me Peng Jing-un dje. Ajo ka dy celularë dhe ata nuk pushuan kurrë së rëni," thotë ai.
Fu thekson se një nga momentet që e ka prekur me shumë në këtë punë, ishte kur një banor i moshuar tregoi vlerësimin e vet duke i dhënë doreza për të blerë ilaçe për të.
Mbi 50 000 veta po punojnë në më shumë se 7 000 lagje banimi si vullnetarë në Wuhan për të ndihmuar banorët.