Epidemia, Kina merr masa të tjera për të stabilizuar tregtinë e jashtme

2020-02-25 09:50:16 CRI Komenti juaj Printoni

Ministria e Tregtisë e Kinës thotë do të marrë më shumë masa për të stabilizuar tregtinë e jashtme, në përpjekje për të zbutur ndikimin ekonomik të epidemisë së koronavirusit.

Ndihmësministri i Tregtisë Ren Hongbin thotë se ndikimi ishte i përkohshëm dhe se Kina do të mbetet një destinacion i parapëlqyer për investimet globale:

"Epidemia mund të ketë një ndikim të madh në tërheqjen e kapitalit të huaj në Kinë në tremujorin e parë të këtij viti, por ndikimi është i përkohshëm dhe i kontrollueshëm. Në perspektivë afatgjatë, epërsitë e gjithanshme të Kinës në tërheqjen e investimeve të huaja mbeten të pandryshuara, ashtu si edhe besimi dhe strategjia e shumëkombësheve për të investuar në Kinë. Kina do të jetë përsëri një vend tërheqës për investimet globale. "

Zyrtari u shpreh se masat mbështetëse të shpallura nga autoritetet kohët e fundit kanë qenë të frytshme.

Rreth 80 për qind e firmave të mëdha të tregtisë së jashtme në Shangai dhe në provincat Shandong dhe Hunan kanë rifilluar punën, ndërsa 32 kompani të pjesëve të këmbimit të automjeteve të financuara nga Koreja e Jugut në Shandong rifilluan plotësisht punën përpara 15 shkurtit.

Ren vuri në dukje se do të merren hapa të mëtejshëm për të siguruar stabilitetin e tregtisë së jashtme.

"Ne do të ndihmojmë më shumë ndërmarrje me financim të huaj për të rifilluar prodhimin dhe punën. Përparësi do t'u jepet firmave kryesore me financim të huaj në rifillimin e prodhimit dhe furnizimit, për të ruajtur stabilitetin e zinxhirit global të furnizimit," u shpreh Ren Hongbin-i.

Ai shtoi se Kina do të vazhdojë përpjekjet për të zgjeruar hyrjen në treg të investimeve të huaja.

Mrekulli
Lajmet Kryesore