OBSh-ja: Metodat përballuese të Kinës janë të suksesshme

2020-02-25 14:46:31 CRI Komenti juaj Printoni

Pas vizitës nëntëditore në Kinë, grupi i përbashkët i ekspertëve Kinë-OBSh organizoi të hënën një konferencë shtypi në Pekin, duke njoftuar rezultatet e inspektimit dhe duke vlerësuar përpjekjet e palës kineze. Sipas këshilltarit të lartë të OBSh-së, Bruce Aylward, faktet kanë dëshmuar se metodat e përballimit të Kinës kanë qenë të suksesshme.

Në konferencën e shtypit, drejtuesi i palës kineze i grupit të përbashkët studimor, njëkohësisht drejtues i grupit të ekspertëve të Komisionit të Shëndetësisë të Kinës, Liang Wannian, bëri të ditur se analizat gjenetike të 104 shtameve të virusit të mbledhura në krahina të ndryshme tregojnë se deri tani koronavirusi i ri nuk ka shfaqur ndryshim të dukshëm. Informacionet e bazuara mbi sistemin elektronik të raportimit dhe vizitat në Pekin, Guangdong, Sichuan dhe Hubei tregojnë se mosha mesatare e të infektuarve është 51 vjeç, ata që i përkasin grup-moshës 30-69 zënë 77.8 % dhe 77.5% e pacientëve janë nga provinca Hubei. Për sa u përket kafshëve mbartëse, studimet e deritanishme tregojnë se lakuriqi i natës është mbartësi më i mundshëm origjinal, kurse pangolini mund të jetë një ndër mbartësit kalimtarë.

"Spërklat respiratore dhe kontaktet e drejtpërdrejta janë mënyrat kryesore të përhapjes. Virusi është gjetur edhe në jashtëqitjen e disa pacientëve, kështu që eksziton edhe rreziku i përhapjes fekalo-orale. Përveç kësaj, virusi mund të përhapet edhe nëpërmjet aerosolit", tha z. Liang.

Ndërsa, z. Bruce Aylward, drejtor i ekspertëve ndërkombëtarë të OBSh-së, pohoi përmirësimin e situatës në Kinë.

"Pas studimit të kujdesshëm nga shumë aspekte, grupi ynë beson që nuk ka dyshim se masat e guximshme të marra nga Kina kanë frenuar në mënyrë të efektshme prirjen e përhapjes së shpejtë të këtij virusi të ri. Dy javë më parë kur erdha në Kinë, numri i infektimeve të reja ishte mbi 2000 në ditë. Kurse dje, kur mbaruam studimin, numri ishte 416, duke shënuar rënie 80% brenda këtyre dy javëve. Shifrat e uljes së rasteve janë reale. Grupi studimor ka bërë verifikim në bazë të burimeve të ndryshme informative. Gjatë vizitave tona në terren, shumë fakte që pamë provuan përsëri vërtetësinë e këtyre shifrave", theksoi z. Aylward.

Sipas tij, ka nga ata që mendojnë se nuk ka metodë për përballimin e epidemisë, meqë ende nuk ka ilaçe e vaksina. "Por Kina mendon se, meqë nuk ka ilaç e vaksinë, le ta përballojmë epideminë me ato që kemi, të përshtatemi si të mundemi dhe të shpëtojmë sa më shumë jetë që mundemi. Këto metoda kanë treguar se janë të suksesshme", shtoi eksperti i OBSh-së.

Mrekulli
Lajmet Kryesore