Bashkimi dhe bashkëpunimi janë armët më të fuqishme

2020-02-24 14:36:53 CRI Komenti juaj Printoni

"E kam thënë shpesh se njerëzimi i përket së njëjtës bashkësi të fateve të përbashkëta", shkruan presidenti kinez Xi Jinping në një letër drejtuar Bill Gates-it, kryetar i Fondacionit "Bill & Melinda Gates" për t'i shprehur falënderime për mbështetjen që fondacioni i tij ka dhënë në betejën kundër koronavirusit të ri.

Ç'do të thotë bashkësi e fateve të përbashkëta? Epidemia e kësaj here e ka thelluar njohjen e këtij koncepti prej njerëzve. Virusi përhapet pa kufi dhe mposhtja e tij ka nevojë për bashkimin dhe bashkëpunimin e vendeve të ndryshme. Përveç luftës së përbashkët, nuk ka asnjë alternativë tjetër.

Nga masat më të rrepta gjithëpërfshirëse deri në publikimin e menjëhershëm të informacioneve për OBSh-në dhe vendet e tjera, Kina po bën përpjekje brenda mundësive që ka, për të mbrojtur shëndetin e popullit kinez dhe të popujve të tjerë, duke mbajtur përgjegjësinë e saj për shëndetin publik botëror.

Ndërkohë, mbi 160 vende dhe organizata ndërkombëtare kanë dërguar telegrame dhe letra solidariteti dhe mbi 30 qeveri dhe organizata ndërkombëtare kanë dhënë materiale ndihmëse. Bashkësia ndërkombëtare po e shpreh qëndrimin e vet me veprime konkrete.

Tani, rastet e reja të infektimit jashtë provincës Hubei po shënojnë rënie nga piku 890 në ditë në 18 më 22 shkurt. Në krahasim me epideminë e H1N1 të ndodhur në vitin 2009 që buroi nga ShBA-ja, përmasa e prekjes nga koronavirusi i ri është sa 1/10, pa përmendur se rastet e konfirmuara jashtë Kinës zënë vetëm afro 1 % të numrit të përgjithshëm. Kjo ka ardhur në saje të përpjekjeve të popullit kinez dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në fakt, kjo epidemi, që po vë në provë aftësinë e njerëzimit, nga perspektiva afatgjatë po rigjall vëmendjen tonë për bashkim dhe bashkëpunim. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme në botën e tanishme plot pasiguri dhe do t'i nxisë vendet e ndryshme të gjejnë fusha të reja bashkëpunimi, duke shtuar faktorët e sigurisë dhe të mbrojtjes për zhvillimin global.

Për shembull, ekspertët e OBSh-së kanë shkuar në Kinë për të zbuluar me homologët kinezë gjërat e panjohura për virusin; në një mbledhje të posaçme të ministrave të Jashtëm Kinë-ASEAN, kryediplomatët e 10 vendeve të Azisë Juglindore bashkuan duart me ministrin e Jashtëm kinez Wang Yi për të shprehur solidaritet me Kinën; pasi mësoi për mungesën e reagentëve për testimin e acidit nukleik të koronavirusit në Japoni, Kina i dhuroi menjëherë palës japoneze një kontingjent pajisjesh përkatëse.

"Bashkimi dhe bashkëpunimi janë armët më të fuqishme", e përfundon presidenti Xi letrën e tij për z. Bill Gates. Kjo thënie shpreh edhe propozimin e palës kineze për të përballuar sfidat e përbashkëta të njerëzimit.

Le të shtrëngojmë duart e t'i kapërcejmë bashkërisht vështirësitë, për të pritur pranverën e afërt.

Mrekulli
Lajmet Kryesore