Burimi i teorisë së konspiracionit për epideminë, keqdashja

2020-02-23 11:15:36 CRI Komenti juaj Printoni

Të premten, ambasada e Kinës në Rusi dha sqarime për zërat e pavërtetë se Rusia mendon se koronavirusi është krijuar në mënyrë artificiale. Zyrtarë të palës ruse janë shprehur se në "Këshillat e përkohshme për parandalimin, diagnostikimin dhe mjekimin e koronavirusit", të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë e Rusisë, nuk përmendet se virusi është krijuar artificialisht.

Me shpërthimin e epidemisë së koronavirusit, forcat antikineze në Perëndim po përhapin thashetheme mbi arsyen e epidemisë, për të hedhur baltë mbi përpjekjet e Kinës në fushën e parandalimit dhe të kontrollit të saj.

Gjatë fazës fillestare të epidemisë, senatori republikan amerikan Tom Cotton tha në një intervistë televizive se burimi i koronavirusit është një laborator biokimik në Wuhan, duke shpifur se "Kina ka gënjyer që në fillim".

Përveç tij, edhe Bill Gertz, gazetari i një tabloidi amerikan, tha se shpërthimi i epidemisë është i lidhur me ushtrinë kineze. Ai dhe ish-këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë Steve Bannon kanë trumbetuar idenë e gabuar mbi "luftën biokimike".

Të gjitha këto thënie nuk bazohen në fakte dhe janë spekulime.

Në fakt, nuk është e vështirë të vihet re se ata që krijojnë e propagandojnë "teoritë e konspiracionit" synojnë të përhapin panik te njerëzit dhe të dëmtojnë bashkëpunimin midis Kinës e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe vendeve të tjera. Nga ana tjetër, ata dëshirojnë edhe të realizojnë interesat e veta politike.

Me arritjen e rezultateve të luftës së Kinës kundër epidemisë, më shumë personalitete ndërkombëtare kanë filluar të diskutojnë se si mund ta bëjë aq mirë Kina punën për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë. Komuniteti ndërkombëtar ka arritur konsensus se Kina ka epërsi në sistemin e saj dhe aftësi administrimi. Por një pjesë politikanësh e mediash perëndimore shqetësohen prej këtij konsensusi, prandaj kanë filluar të krijojnë teoritë e konspiracionit.

Ditët e fundit, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe qarqet shkencore ndërkombëtare kanë sqaruar dhe kanë mbështetur përpjekjet e bëra nga Kina kundër epidemisë.

Epidemiologë të njohur nga Universiteti I Kolumbias dhe Universiteti i Sidneit publikuan më 17 shkurt një artikull, ku thuhet se "prova gjenetike kyçe" tregojnë se koronavirusi i ri nuk është bërë në mënyrë laboratorike, por është një produkt i evolucionit natyror.

27 ekspertë të njohur ndërkombëtarë të shëndetit publik bënë një deklaratë në "Lancet", një revistë mjekësore kryesore ndërkombëtare, ku dënohet teoria e konspiracionit që koronavirusi i ri nuk është natyror. Kjo deklaratë vlerëson edhe punën e jashtëzakoshme të ekspertëve kinezë dhe kërkon një përkrahje më të madhe për Kinën.

Fitimi i luftës kundër epidemisë kërkon shkencë, arsye dhe bashkëpunim, jo mosdije, thashetheme e paragjykime. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore