Ekspertët: Ndikimet e epidemisë mbi ekonominë, të përkohshme

2020-02-22 11:22:50 CRI Komenti juaj Printoni

Gjendja e epidemisë së koronavirusit po tregon tani ndryshime pozitive. Kina po përpiqet të ulë ndikimet e epidemisë dhe të realizojë objektivat e zhvillimit ekonomik e shoqëror sipas planit. Një numër i madh ekspertësh mendojnë se ndikimet e epidemisë janë të përkohshme dhe mund të ndreqen. Ekonomia kineze ka perspektivë të mirë dhe do të vazhdojë të rritet me cilësi të lartë.

Ditët e fundit u regjistrua në Pekin Kompania e Menaxhimit të Investimeve "Oaktree" e Pekinit, degë e kompanisë së njohur të investimeve "Oaktree Capital". Drejtori i Zhvillimit të Biznesit për Rajonin e Azi-Paqësorit dhe menaxheri i përgjithshëm për Kinën i "Oaktree Capital" Chao Hanting u shpreh se faktorët e përkohshëm nuk do të ndryshojnë gjykimin afatgjatë të kompanisë së tij që ekonomia e Kinës do të zhvillohet në mënyrë të mbarë. Sipas tij, "Oaktree Capital" do të vazhdojë të kërkojë raste investimesh në Pekin dhe në mbarë Kinën, duke rritur investimet në Kinë.

Zv.drejtori i Departamentit të Tregtisë Financiare të Bankës Popullore të Kinës Chen Lifeng u shpreh se, mbi bazën e paraqitjes së tregut financiar, investuesit mendojnë se ndikimet e epidemisë janë afatshkurtra.

Zv.drejtori i Institutit të Taksave të Kinës Zhang Lianqi mendon se ndikimet e epidemisë do të jenë të përkohshme dhe të ndreqshme:

"Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë, me një vëllim të përgjithshëm afro 100 trilionë juanë. Kina ka tregun më të madh të brendshëm, me një popullsi 1 miliard e 400 milionë banorë, dhe një forcë pune prej 900 milionë vetash, si edhe burime të pasura talentesh. Hapësira e kërkesës së brendshme të sjellë nga industrializimi, informatizimi, urbanizimi dhe modernizimi i bujqësisë është e gjerë e, njëkohësisht, baza industriale është e fortë. Për këto arsye, zhvillimi i ekonomisë kineze do të jetë pozitiv dhe kjo situatë nuk do të ndryshojë."

Zhang Lianqi theksoi gjithashtu se, me rastin e parandalimit dhe të kontrollit të epidemisë, duhet të nxitet energjia e re e ekonomisë:

"Duhet të çlirohet potenciali i ri i tregtisë elektronike, arsimit në internet dhe argëtimit në internet. Duhet të shfrytëzohen po ashtu teknologjia 5G, të dhënat masive, informatika cloud etj. Kështu, struktura ekonomike e Kinës do të përmirësohet e do të ngrihet në një nivel më të lartë dhe do të nxitet zhvillimi me cilësi të lartë". (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore