2020-02-21 16:29:21 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Koronavirusi COVID-19 ka infektuar 207 vetë në një burg në lindje të Kinës, sipas një konference për shtyp të mbajtur të premten nga autoritetet e provincës Shandong.
Autoritetet vendore përfunduan testet e acidit nukleik të të gjithë personelit përkatës në burgun Rencheng në qytetin Jining, duke raportuar 207 raste të konfirmuara. Aktualisht, janë marrë masa efektive të izolimit dhe trajtimit për të gjithë pacientët e konfirmuar.
Më 12 shkurt, një oficer burgu u izolua në një spital pasi shfaqi simptoma të tilla si kollitje. Ai u diagnostikua me pneumoni nga koronavirusi i tipit të ri pas testimit të acidit nukleik ditën tjetër.
Të gjithë njerëzit në kontakt të ngushtë me pacientët e infektuar janë vënë në karantinë. Autoritetet e provincës kanë dërguar specialistë nga e gjithë krahina për të ndihmuar mjekët në Jining për të bërë skemat e trajtimit mjekësor për secilin pacient.
Tetë zyrtarë janë pushuar nga puna për parandalim dhe kontroll joefektiv të gjendjes së epidemisë në burg.
Siç mësohet, numri i rasteve të reja të konfirmuara të COVID-19 jashtë provincës Hubei, vatra e shpërthimit, ishte të enjten 258, shumë më pak nga 890 të infektuar që u regjistruan në 3 shkurt.
Ndërkohë që nga 18 shkurti, numri i pacientëve të rikuperuar tejkaloi numrin e të infektuarve për tre ditë me radhë. (Albana)