2020-02-16 13:55:53 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Të enjten, në restorantin e njohur kinez "1 Maji" në Tiranë, ambasada kineze në Shqipëri dhe Bashkia e Tiranës organizuan së bashku një veprimtari solidariteti në përkrahje të Kinës, që po lufton kundër epidemisë së koronavirusit të ri. Morën pjesë në këtë veprimtari ambasadori kinez Zhou Ding, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, zëvendësministrja e Shëndetësisë Bardhylka Kospiri, deputeti socialist Ervin Bushati, drejtoreshja e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico, si dhe afro 100 kinezë që jetojnë në Shqipëri, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve kineze e të studentëve kinezë.
Ambasadori kinez Zhou Ding mbajti një fjalim, ku falënderoi për përkrahjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe qarqeve të ndryshme të Shqipërisë për luftën ndaj epidemisë së koronavirusit të ri. Ai u shpreh se, pas shfaqjes së epidemisë së koronavirusit të ri në Kinë, presidenti Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i kanë dërguar mesazhe solidariteti qeverisë e popullit kinez. Qytetarët e Tiranës dhe miq e dashamirës të Kinës i kanë shprehur në mënyra të ndryshme urimet e tyre Kinës. Ardhja e kryetarit të bashkisë Veliaj në komunitetin dhe në restorantin kinez, duke dhënë mbështetje ndaj Kinës dhe komunitetit kinez në Tiranë me veprime praktike, gjithashtu tregon vizionin, mendjen e hapur dhe angazhimin e Tiranës si kryeqyteti i "vendit të shqiponjave", theksoi ambasadori Zhou. Pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar në Shqipëri, qeveria kineze, kompanitë e studentët kinezë dhe kinezët me banim në Shqipëri dhanë ndihmesën e tyre me para dhe me veprimtari vullnetare. Dashuria nuk njeh kufi, familja jonë ndërkombëtare do të bëhet më e fortë dhe më e bashkuar, qoftë përballë tërmetit apo epidemisë, tha përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Shqipëri.
Ambasadori Zhou Ding vuri në dukje më tej se qeveria kineze ka marrë masat më të gjithanshme e më të rrepta të parandalimit dhe kontrollit të epidemisë, gjë që jo vetëm tregon përgjegjësinë e lartë për jetën e shëndetin e popullit kinez, por është edhe kontribut i madh për ruajtjen e sigurisë shëndetësore globale. Populli kinez ka bërë përpjekje dhe sakrifica gjigante në këtë luftë. Siç tha presidenti Xi Jinping, ne po vrapojmë me kohën, dhe po luftojmë me sëmundje serioze, shtoi ambasadori Zhou. Vullneti dhe masat e forta të Kinës për të kontrolluar përhapjen e epidemisë po tregojnë efekte pozitive. Kemi besim e aftësi që ta fitojmë luftën kundër epidemisë, tha në fund ai.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj falënderoi për ndihmën e palës kineze pas tërmetit në Shqipëri dhe vlerësoi kontributin e komunitetit kinez në Tiranë. "Tani Kina po përballon vështirësi dhe ne duhet t'i japim përkrahjen tonë", theksoi Veliaj, duke shprehur besimin se Kina do ta mposhtë këtë epidemi. Ai tha se Tirana është themeluar mbi parimet e një qyteti të hapur dhe jo të paragjykimit. Komunitetit kinez jeton e punon prej vitesh në kryeqytetin shqiptar, vuri në dukje Veliaj, duke shtuar se sot më shumë se kurrë duhet të luftojmë injorancën, që është armiku ynë i përbashkët dhe që mund të shkaktojë prapambetje dhe dyshime. Historia ka treguar se shoqëria njerëzore ka përvojë dhe aftësi të mjaftueshme për t'i mposhtur sëmundjet. Përballë epidemisë, duhet të besojmë te shkenca, të shmangin panikun, të qëndrojmë së bashku dhe të ruajmë frymën e hapjes dhe gjithëpërfshirjes, theksoi Erion Veliaj.
Ervin Bushati, deputeti socialist i njësisë bashkiake nr. 8, zona ku punon komuniteti kinez i Tiranës, shprehu solidaritet me Kinën. Ai tha se përballë fatkeqësisë, njerëzimi është bashkuar në mënyrë më të ngushtë. Përballë sfidës së përbashkët, duhet të shfaqim shpirtin e dashamirësisë e të përkrahjes ndaj njëri-tjetrit dhe të përballimit të vështirësisë së bashku. Miqësia shqiptaro-kineze është e vjetër dhe zemrat e të dy popujve janë të lidhura së bashku. Në këtë moment, theksoi deputeti Bushati, ne qëndrojmë me këmbëngulje pranë me popullin kinez dhe urojmë që epidemia të zhduket së shpejti. Shpresoj që çdo mik kinez të ndihet në Shqipëri si në shtëpinë e vet, tha ai, duke shtuar se dashuria e vërtetë shfaqet në kohë të vështira dhe se asnjë gjë s'mund ta pengojë miqësinë mes dy vendeve.
Personat e qarqeve të ndryshme që morën pjesë në këtë veprimtari, shprehën interesin dhe përkrahjen ndaj luftës së Kinës kundër epidemisë së koronavirusit të ri. Përfaqësuesit e kinezëve dhe të studentëve kinezë në Shqipëri u shprehën se pas epidemisë, jeta dhe puna e tyre në Shqipëri nuk ka pasur asnjë ndikim. Populli kinez dhe populli shqiptar i kanë shpërfillur me vendosmëri lajmet e rreme dhe ndjenjën e panikut, thanë ata, duke shtuar se urimet nga miqtë shqiptarë u kanë dhanë besim të madh.
ATSh-ja, RTSh-ja, "News 24", "Top Channel", "Albania Daily" dhe agjencia e lajmeve "Xinhua", Radio e Jashtme e Kinës dhe media të tjera bënë raportime për këtë veprimtari.(Xu Guang)