2020-02-15 19:29:05 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Të shtunën, zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës Wang Hesheng u shpreh në qytetin Wuhan se puna e parandalimit dhe e kontrollit të epidemisë së koronavirusit të tipit të ri ka hyrë në fazën më kritike. Hapi i ardhshëm është garantimi i mjekimit të të gjithë të sëmurëve. Sipas njoftimeve, përveç provincës Hubei, në krahinat e tjera kineze numri i rasteve të reja të konfirmuara është ulur për 10 ditë me radhë.
"Tani parandalimi dhe kontrolli i epidemisë kanë hyrë në fazën më kritike. Qyteti Wuhan i provincës Hubei është ende fushëbeteja kryesore. Sipas kërkesave të përgjithshme të forcimit të besimit, të bashkëpunimit, të veprimit shkencor dhe të zbatimit të saktë të masave, ngritja e përqindjes së mjekimit dhe të shërimit dhe ulja e përqindjes së infektimit dhe të vdekjeve do të jenë punët më të rëndësishme në betejën kundër epidemisë," u shpreh Wang Hesheng.
Deri më 14 shkurt, krahinat e ndryshme kineze kanë dërguar 217 ekipe mjekësore, përveç ekipeve të ushtrisë. 25633 mjekë e infermiere kanë arritur në qytetin Wuhan dhe qytete të tjera të provincës Hubei për ndihmë. Në provincën Hubei, veçanërisht në Wuhan, disa stadiume, qendra ekspozitash dhe qendra trajnimi janë shndërruar në spitale "kabina". Deri tani janë hapur 9 spitale të tilla me 6960 shtretër dhe numri i pacientëve në to ka arritur mbi 5600. Wang Hesheng tha se në fazën tjetër, duhet të sigurohet që të gjithë pacientët të mjekohen:
"Nëse ka nevojë, ne do të vazhdojmë të zbrazim spitale dhe të rekuizojmë disa stadiume e salla për t'i shndërruar në spitale 'kabina', me qëllim që të gjithë pacientët e konfirmuar dhe ata të dyshuar të marrin mjekim." (Fani)