2020-02-12 10:16:22 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës i Kinës ka bërë të ditur se prodhimi i barnave dhe mallrave të përdorimit të përditshëm në Kinë po normalizohet, në mbështetje të përpjekjeve për parandalimin dhe kontrollin e epidemisë së koronavirusit.
Shifrat nga organi më i lartë i planifikimit ekonomik i Kinës tregojnë se tani po shfrytëzohet më shumë se 76 për qind e kapaciteteve të prodhimit të maskave të fytyrës në 22 rajone në rang province të Kinës.
Ndërkohë, ka rinisur gjithashtu 77 për qind e prodhimit të veshjeve mbrojtëse.
Rreth 95 për qind e firmave kryesore të prodhimit dhe përpunimit të drithërave në të gjithë vendin kanë rifilluar prodhimin.
Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës, Cong Liang, thotë se rifillimi i prodhimit të materialeve mjekësore dhe mallrave të përdorimit të përditshëm do të ndihmojë në betejën kundër epidemisë.
Ai thekson se ka ende çështje që duhen trajtuar:
"Ka vështirësi në promovimin e rihapjes së plotë të bizneseve, duke përfshirë mungesën e krahëve të punës, kufizimin e rifillimit të punës në disa rajone, mungesën serioze të materialeve parandaluese, siç janë maskat dhe kostumet mbrojtëse, dobësitë në transport dhe mungesën e financimit."
Sipas Cong-ut, jo të gjithë sektorët në të gjitha rajonet duhet të ndjekin urdhrin e rifillimit të punës.
Për rajonet e goditura më shumë nga epidemia dhe industritë që janë më pak thelbësore për materialet mjekësore dhe mallrat e përdorimit të përditshëm, duhet të bëhen plane praktike dhe elastike në përputhje me realitetin.
Cong ka theksuar gjithashtu përpjekjet për të mbrojtur punëtorët nga koronavirusi, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të epidemisë.