Shefi i OBSH-së ribën thirrje për bashkëpunimin ndërkombëtar

2020-02-11 19:08:20 CRI Komenti juaj Printoni

OBSH-ja po merr masa të ndryshme për të marrë nën kontroll gjendjen e epidemisë së koronavirusit me forca shkencore, tha të hënën sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Tedros Adhanom Ghebreyesus nga Gjeneva. Njëkohësisht, ai ribëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

"Gjendja epidemike nuk ka ndryshuar. 99% e rasteve të raportuara vijnë nga Kina, shumica e pacientëve janë jashtë rrezikut për jetën, rreth 2% e rasteve vdiqën nga sëmundja. Ky numër është ende i lartë," tha Ghebreyesus.

Tani njerëzit duan shumë të dinë se si po shkon situata, a do të përmirësohet apo keqësohet? Lidhur me këtë, Ghebreyesus tha se OBSH-ja po bën përpjekje për ta gjetur përgjigjen:

"Ne po bëjmë disa punë. Së pari, më 11 shkurt do të zhvillohet Forumi Global i Studimeve e Risisë ku do të përcaktohen disa probleme dhe veprimet e mëtejshme. Së dyti, grupi i ekspertëve të OBSH-së i drejtuar nga Dr. Bruce Aylward ka mbërritur në Kinë duke hedhur bazën e bashkëpunimit ndërkombëtar."

Më 11 e 12 shkurt, do të zhvillohet në Gjenevë Forumi Global i Studimeve e Risisë në përballim të koronavirusit të tipit të ri, ku shkencëtarë të famshëm globalë dhe ekspertë shëndetësorë të vendeve të ndryshme do të diskutojnë për 9 tema të veçorisë së virusit, të origjinës së virusit, të mjekimit, të vaksinës etj. për të koordinuar forcat shkencore globale e për të gjetur mënyrën më të efektshme mjekësore.

Ghebreyesus ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në kontrollin e gjendjes epidemike.

"Objektivi ynë mbetet parandalimi dhe kontrolli i epidemisë. U bëjmë thirrje të gjitha vendeve të marrin masa për të penguar përhapjen e e mëtejshme. OBSH-ja do të vijojë bashkëpunimin me vendet e ndryshme për të parandaluar e zbuluar në kohë raste të reja të sëmundjes." (Fani/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore