2020-02-07 15:13:26 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Fjala kyçe:prodhim
Ditët e fundit, prodhuesit e materialeve mjekësore në krahina të ndryshme të Kinës po shpejtojnë prodhimin dhe po zgjerojnë kapacitetet prodhuese për të ofruar mbështetje të fortë për të përballuar shpërthimin e koronavirusit të tipit të ri.
"Tainuoeri" është një ndërmarrje e prodhimit të maskave në qytetin Mianyang të provincës Sichuan. Kryemenaxheri i kompanisë Huang Tairong u shpreh se, për të ngritur nivelin e produkteve të tyre në përputhje me kërkesat më të rrepta mjekësore, sektorët administrativë mjekësorë të qytetit dërguan teknikë në fabrikë për të zgjidhur problemet.
"Pas rifillimit të punës në ditën e dytë të Vitit të Ri, Drejtoria e Rregullimit të Tregut na dha ndihmë financiare dhe dërgoi teknikë në fabrikën tonë për të zgjidhur vështirësitë si furnizimi i mjaftueshëm me lëndë të para, blerja e makinerive të reja etj., në mënyrë që ne të prodhojmë 24 orë në ditë", tha z. Huang.
Mësohet se, pas shpërthimit të epidemisë, provinca Sichuan ka shpallur dhjetë masa në fushat financiare, tatimore dhe logjistike për nxitjen e prodhimit të materialeve mjekësore, si maska, veshje mbrojtëse, matës elektronikë të temperaturës etj.. Ato kanë mbështetur aktivisht ndërmarrjet që të zgjidhin problemet në kontrollin e kostos së prodhimit, furnizimin e mjaftueshëm të lëndëve të para dhe transportimin pa vonesë të produkteve.
Nëpërmjet masave të tilla, qyteti Guang'an ka vënë në funksionim dy linja prodhimi të maskave brenda tre ditëve. Ndërkohë, në distriktin Qingbaijiang të qytetit Chengdu, një linjë e prodhimit të 30 tonëve dezinfektuesish u ngrit brenda shtatë ditëve, kurse në qytetin Bazhong, një fabrikë që kishte ndërprerë prodhimin para 10 vjetësh, rifilloi punën brenda 96 orësh.
Në qendrat kryesore të prodhimit të maskave të Kinës, kapaciteti prodhues po kthehet në nivelin normal. Produktet kryesore, sidomos ato që përdoren nga punonjësit mjekësorë, kanë pasur rritje të ndjeshme prodhimi.
Krahas shpejtimit të prodhimit, menaxhimi shkencor i materialeve po forcohet më tej. Sipas zv.drejtorit të Departmentit të Industrisë së Produkteve të Konsumit pranë Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit, Cao Xuejun, për të përmbushur kërkesat e qytetit Wuhan, ministria ka krijuar një mekanizëm për menaxhim dhe shpërndarje të unifikuar.
"Kemi dërguar grupe pune në prodhuesit kryesorë të materialeve mjekësore, për kontroll dhe koordinim mes krahinave gjatë procesit të prodhimit e të shpërndarjes në zonat e prekura më rëndë. Tani materialet që dërgohen në Wuhan, nga prodhimi deri në shpërndarjen në institucionet mjekësore, mund të gjurmohen dhe verifikohen në kohë", tha z. Cao.