2020-02-06 09:51:15 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës dhe Administrata Shtetërore e Mjekësisë Tradicionale Kineze publikuan të mërkurën variantin e ri të rishikuar të standardeve të mjekimit të koronavirusit të ri, duke shtuar kategorizimin e trajtimit të pacientëve me simptoma të lehta. Ekspertët janë të mendimit se kjo masë mund të ndihmojë në kufizimin e burimit të virusit. Ndërsa lidhur me raportimet se "të prekurit pa simptoma mund të përhapin virusin", studiuesit e mjekësisë theksuan se publiku nuk duhet të frikësohet, pasi mundësia e përhapjes së sëmundjes prej këtyre të prekurve është shumë e vogël.
Për sa u përket ndryshimeve të variantit të ri të metodave të mjekimit, znj. Guo Yanhong nga autoriteti kombëtar i shëndetësisë sqaron:
"Në variantin e tanishëm përshkruhen në mënyrë më të hollësishme simptomat klinike. Gjithashtu, të prekurit me simptoma të lehta janë kategorizuar më tej në katër nivele dhe ndaj tyre janë përpiluar metoda të veçanta mjekimi. Ndryshime të tilla mund të ndihmojnë në drejtimin e punës së ardhshme të mjekimit."
Me thellimin e njohurive për sëmundjen, metodat e mjekimit pritet të vijojnë të përmirësohen. Autoritetet shëndetësore do të përfshijnë vazhdimisht përvojat, terapitë dhe konceptet e vlefshme praktike në udhëzimet e ardhshme, për të drejtuar institucionet e niveleve të ndryshme të mbarë vendit të përballen më mirë me trajtimin efektiv të sëmundjes.
Të dhënat statistikore të publikuara të mërkurën tregojnë njëkohësisht se është pakësuar në mënyrë të ndjeshme numri i rasteve të reja të dyshuara. Një përgjegjës i autoriteteve shëndetësore bëri të ditur se një arsye për këtë është ngritja e aftësisë diagostifikuese, gjë që bën që më shumë raste të dyshuara të konfirmohen ose të përjashtohen nga dyshimi brenda një dite.