Raporti: Masat e forta të qeverisë kineze mbrojnë popujt e mbarë botës

2020-02-05 15:24:11 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit, Instituti i Studimit të Çështjeve Ndërkombëtare i Shangait publikoi një raport me titull "Lufta e Kinës ndaj koronavirusit të ri: përparime dhe ndikime", në të cilin bën një analizë të hollësishme lidhur me arritjet e Kinës në luftën ndaj koronavirusit të ri, ndikimin e mundshëm të epidemisë dhe masat e përballimit.

Lidhur me arsyen e izolimit të qytetit Wuhan, raporti vë në dukje se qeveria kineze zbaton politikën e izolimit në Wuhan për të parandaluar përhapjen e epidemisë. Kjo masë emergjente shëndetësore tregon se Kina zbaton detyrimin e saj si një vend i madh. Kontrolli i rreptë i lëvizjes së njerëzve nga provinca Hubei për në vende të tjera, përshirë edhe jashtë Kinës, është një masë efektive për të frenuar transmetimin e virusit dhe përhapjen e epidemisë. Kjo masë mbron jo vetëm popullin kinez, por dhe popujt e mbarë botës.

Për sa i përket aftësisë së qeverisë për të kontrolluar epideminë, në raport thuhet se qysh nga shpërthimi i epidemisë, Kina ka mobilizuar forcat qeveritare dhe shoqërore, duke formuar një rrjet të përballimit mes qeverisë, ndërmarrjeve dhe shoqërisë. Reagimi i përbashkët ndaj gjendjes së vështirë ka frymëzuar mbarë shoqërinë për të përballuar krizën e epidemisë.

Sipas raportit, epidemia do të dëmtojë drejtpërdrejt sektorët e shërbimeve, të prodhimit e të tregtisë. Por forca e qëndresës e ekonomisë kineze nuk mund të nënvlerësohet. Në një perspektivë afatshkurtër, epidemia ka sjellë përfitime për kompanitë e tregtisë elektronike, të lojërave në internet dhe të argëtimit. Nga një perspektivë afatgjatë, potencialet e Kinës, si ekonomia e dytë e botës, për sa i përket fuqisë së konsumit, urbanizimit, teknologjisë 5G dhe fushave të reja të ekonomisë, si inteligjenca artificiale, nuk do të zhduken për shkak të epidemisë.

Mbi bashkëpunimin e bashkësisë ndërkombëtare për të luftuar epideminë, në këtë raport thuhet se gjatë betejës kundër epidemisë, Kina nuk harron detyrat e përgjegjësitë e veta ndërkombëtare, dhe ka zhvilluar aktivisht bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ka publikuar ecurinë e reagimit ndaj epidemisë me mënyrë transparente dhe ka shprehur mirëkuptim për masat e marra nga vendet e tjera të botës për të parandaluar koronavirusin e ri, duke bërë çdo përpjekje për të ulur përhapjen e epidemisë në botë. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore