Kina kritikon SHBA-në për përhapje të frikës rreth koronavirusit

2020-02-04 16:18:21 CRI Komenti juaj Printoni

Kina ka kritikuar SHBA-në për përhapje të frikës pas përhapjes së koronavirusit që ka origjinën në qytetin Wuhan.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Hua Chunying, u tha përfaqësuesve të mediave se Washingtoni nuk i ndihmoi Pekinit në betejën e tij kundër koronavirusit fatal.

"Disa shtete, në veçanti SHBA, kanë reaguar në mënyrë jo të duhur, që sigurisht është në kundërshtim me këshillat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH)", tha Hua, duke shtuar se shumë shtete kanë përshëndetur Kinën për përpjekjet e saj për të ndaluar shpërndarjen e koronavirusit.

Koronavirusi i ri, i njohur si 2019-nCoV, deri më tani ka shkaktuar vdekjen e 361 personave dhe ka infektuar mbi 17.200 persona në Kinë. Jashtë Kinës, vetëm një rast i vdekjes është konfirmuar në Filipine.

"Qeveria amerikane nuk na ka ofruar ndonjë ndihmë thelbësore, por ishte e para që evakuoi stafin nga konsullata e saj në Wuhan, e para që sugjeroi tërheqjen e pjesshme të stafit të ambasadës dhe e para që vendosi ndalesë udhëtimi për udhëtarët kinezë", tha zëdhënësja.

"Gjithçka që ka bërë SHBA është se ka krijuar dhe ka shpërndarë frikë, që është një shembull i keq", shtoi ajo.

Përhapja e koronavirusit ka ngjallur panik në gjithë botën me infeksione të konfirmuara në shumë vende, duke përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Tajlandën, SHBA-në, Singaporin, Francën, Vietnamin, Malajzinë, Kamboxhian, Sri Lankan, Filipinet, Indinë, Nepalin dhe Kanadanë.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen në aeroportet në mbarë botën. Disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në qytetin Wuhan.

"Kanadaja beson se ndalimi i hyrjes nuk ka asnjë bazë, që është një kontrast i madh me sjelljen e SHBA-së", tha Hua.

"Kontrasti është provokues. Unë gjithashtu kam vërejtur se ministri kanadez i Shëndetësisë tha se Kanadaja nuk do të ndjekin SHBA-në në vendosjen e kufizimeve të udhëtimit për shtetasit kinezë ose të huajt që kanë qenë kohët e fundit në Kinë", shtoi Hua.

Japonia, Koreja e Jugut, SHBA, Australia, Pakistani, India, Franca, Gjermania, Indonezia dhe Turqia kanë evakuuar shtetasit e tyre nga qyteti Wuhani, epiqendra e virusit vdekjeprurës.//AA

Mrekulli
Lajmet Kryesore