2020-01-30 10:37:26 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Bashkimi Evropian ka vendosur të mos ndalojë firmat kineze të teknologjisë, si "Huawei", në udhëzimet e veta për sigurinë e 5G-së.
Udhëzimet jodetyruese u hartuan nga Komisioni Evropian dhe u miratuan nga të 28 vendet anëtare.
Udhëzimet përcaktojnë plane të detajuara uljeje për secilin nga rreziqet e identifikuara dhe rekomandojnë një sërë masash kryesore strategjike dhe teknike.
Në sfidë ndaj trysnisë së Shteteve të Bashkuara, BE-ja nuk përmendi me emër Kinën ose ndonjë kompani të veçantë.
Nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian Margrethe Vestager theksoi:
"Si 'Komunikata', ashtu edhe dokumenti për sigurinë kibernetike të 5G-së të BE-së mbështeten në një vlerësim objektiv të rrezikut dhe një sërë masash të mundshme të ekuilibruara. Ato zbatohen për të gjithë dhe nuk synojnë ndonjë vend ose kompani të veçantë."
Udhëzimet e BE-së pasojnë një vendim të qeverisë britanike për ta lejuar "Huawei"-n të luajë një rol në ndërtimin e rrjetit 5G të Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse me disa kufizime.
"Huawei" e ka mirëpritur vendimin e BE-së, duke thënë se "kjo qasje jo e njëanshme dhe e bazuar në fakte ndaj sigurisë së 5G-së i mundëson Evropës të ketë një rrjet 5G më të sigurt dhe më të shpejtë".
ShBA-ja ka nisur një mësymje diplomatike intensive kundër "Huawei"-t, duke u kërkuar aleatëve të vet evropianë të ndërpresin çdo bashkëpunim me kompaninë kineze.
Misioni i Kinës në BE i ka kërkuar BE-së që të ketë bashkëpunim me përfitime të përbashkëta me Kinën dhe "t'i qëndrojë me vendosmëri" trysnisë nga një numër i vogël vendesh dhe politikanësh.