2020-01-28 12:13:52 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Vendosja në karantinë e një qyteti me më shumë se 11 milion banorë si Wuhan-i lidhur me pneumoninë e shkaktuar nga koronavirusi i ri i ka nxitur disa studiues të huaj të vënë në dyshim moralin dhe ligjshmërinë e një vendimi të tillë. Profesori James G. Hodge Jr., drejtori i Qendrës për Ligjin dhe Politikën e Shëndetit Publik në Universitetin Shtetëror të Arizonës, tha për "New York Times"-in se një veprim i tillë "pothuajse me siguri do të çonte në shkelje të të drejtave të njeriut dhe do të ishte cilësuar si antikushtetues në Shtetet e Bashkuara".
Por, së pari, Wuhan-i është në Kinë, e jo në Shtetet e Bashkuara dhe, së dyti, do të ishte më mirë që realiteti të mos gjykohej me kaq thjeshtësi. Logjistika, ndikimi psikologjik e efektiviteti i një veprimi të tillë janë vetëm disa nga faktorët që duhet të merren parasysh nga vendimmarrësit.
Brenda Kinës ka një debat mbi kohën e karantinës. Disa mendojnë se qyteti duhej mbyllur në fazën e hershme të epidemisë, gjë që besohet se do të ulte nivelin e transmetimit të mëtejshëm të virusit.
Li Lanjuan nga Akademia Kineze e Inxhinierisë, thotë se vendimi për të futur në karantinë qytetin është marrë pas një diskutimi të gjerë. "Ne duhej ta mbanim parasysh faktorin njerëzor, kështu që bëmë vëzhgime për disa ditë para marrjes së vendimit," shprehet ai. Por teksa më shumë se tridhjetë provinca dhe bashki në rang provincash kanë konfirmuar raste të sëmundjes që kanë lidhje me Wuhan-in, Li shprehet se qeveria duhet të marrë veprime të rrepta për ta kontrolluar epideminë.
Nëse sëmundja lejohet të përhapet e pakontrolluar, më shumë njerëz do të jenë në rrezik për jetën e tyre dhe kështu nuk ka shumë për të folur për "të drejta njerëzore" nëse e drejta për të jetuar nuk garantohet. Në kohë emergjence të jashtëzakonshme, qeveria duhet të marrë masa jo të zakonshme për të mbrojtur të gjithë qytetarët.
Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë e sheh fazën aktuale si kyçe në luftimin e sëmundjes. Zyrtarët e këtij Komisioni besojnë se masat e tanishme bazohen në përvojën e fituar nga administrimi i epidemive të mëparshme, brenda dhe jashtë Kinës. Kufizimet e udhëtimit janë "të domosdoshme".
"Nëse këpucët bëjnë apo jo, këtë e di vetëm vetëm ai që i vesh ato", ka thënë presidenti kinez Xi Jinping. Qeveria po merr masa për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes dhe, ndërsa vendi përballet me krizën, i takon popullit kinez të gjykojë.