Si mund të ndërtojë Kina një spital në gjashtë ditë?

2020-01-28 12:05:20 CRI Komenti juaj Printoni

BBC-ja ka publikuar kohët e fundit një opinion të analistit britanik të marrëdhënieve politike dhe ndërkombëtare Tom Fowdy, ku ai përpiqet t'i japë përgjigje pyetjes se si është e mundur që Kina arrin të ndërtojë një spital në vetëm gjashtë ditë.

Ndërsa Kina i përgjigjet epidemisë së koronavirusit, e nis artikullin e tij Fowdy, u njoftua se autoritetet në Wuhan do të ndërtonin një spital të ri me rreth 1 000 shtretër brenda gjashtë ditësh. Një spital gjithashtu ishte krijuar në rrethana të ngjashme në përgjigje të shpërthimit të SARS-it në vitin 2003.

Si mund të ndërtohet në Kinë një spital në gjashtë ditë? Kjo është një fushë ku Kina ndryshon nga Perëndimi dhe mund të ketë epërsi, shprehet autori. Sistemi politik i vendit lejon vendosmëri dhe shtrirje më të madhe në proceset e vendimmarrjes, të cilat, në raste emergjente, mund të lënë mënjanë pengesat burokratike, duke lejuar mobilizim dhe reagim më të shpejtë.

Për shkak se toka në qytetet kineze është në pronësi të qeverisë dhe jepet me qira për individët, kjo do të thotë që mund të nisë menjëherë ndërtimi emergjent, dhe falë edhe forcës punëtore masive të vendit, bëhet i mundur një ndërtim i shpejtë pa shkelur cilësinë.

Sistemi politik i Kinës, vazhdon artikulli, ndryshon nga shoqëritë pluraliste perëndimore, pasi është më i njësuar nëpërmjet rendit të tij hierarkik. Vendimet e marra nga qeveria qendrore përcillen nga qendra në nivele të ndryshme. Ky proces bën që pushteti vendor në Kinë të japë llogari para qeverisë qendrore, ndërsa, në shoqëritë perëndimore, autoritetet vendore janë kryesisht autonome nga autoritetet qendrore. Në këtë kontekst, Kina ka aftësinë të marrë vendime më të shpejta dhe më të vendosura në përgjigje të krizës dhe të anashkalojë pengesat burokratike tradicionale. Kjo vlen edhe për ndërtimin, duke mundësuar që plani për ngritjen e një ndërtese të miratohet pothuajse menjëherë, në dallim me pengesat burokratike të Perëndimit.

Dhe kështu, ndërtimi i një spitali brenda gjashtë ditëve bëhet me të vërtetë i mundur, dhe kjo jo në kurriz të cilësisë. Huang Yanzhong, një studiues kinez, u tha gazetarëve: "Puna inxhinierike është ajo të cilën Kina e bën mirë. Kina njihet për ndërtimin e rrokaqiejve me shpejtësi. Kjo është shumë e vështirë të imagjinohet nga perëndimorët. Është diçka që mund të bëhet."

Prandaj, në tërësi, ndërtimi i shpejtë i spitalit duhet të kuptohet si një mobilizim i të gjithë shoqërisë, i drejtuar nga qeveria, si përgjigje ndaj një krize, përfundon artikulli i Tom Fowdy-t.

Mrekulli
Lajmet Kryesore