Kinë, mbi 130 mijë stacione bazë 5G

2020-01-20 19:58:29 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri kinez i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit Miao Wei u shpreh të hënën se vjet sektori industrial i Kinës ka pasur në përgjithësi zhvillim të qëndrueshëm dhe vlera e shtuar e ndërmarrjeve industriale me të ardhura vjetore mbi 20 milionë juanë pati 5.7% rritje, duke qenë brenda një sfere të arsyeshme. Sipas tij, Kina ka forcuar edhe ndërtimin e stacioneve bazë të transmetimit të sinjaleve të 5G-së dhe do të vazhdojë të nxisë zhvillimin e këtij sektori për të krijuar një gamë të gjerë përdorimi.

Duke folur në një konferencë shtypi në Pekin, ministri Miao bëri të ditur gjithashtu se vitin e kaluar u frenua prirja e uljes së të ardhurave korporative dhe u rritën shpejt investimet në teknologjinë e lartë.

"Në qershorin e vjetshëm nisëm zyrtarisht komercializmin e teknologjisë 5G. Deri në fundin e vitit të kaluar, u ndërtuan mbi 130 mijë stacione bazë. Ndërkohë, janë arritur objektivat e paracaktuara për uljen e tarifave të internetit", shtoi ai.

Siç mësohet, deri në fund të vitit 2019, numri i dërgesave të smartfonave 5G në Kinë i kaloi 13.77 milionët dhe mikroçipat e prodhuara me teknologjinë kineze për smartfona kanë hyrë në përdorim komercial. Sipas ministrit Miao, sivjet do të merren më shumë masa për të nxitur shfrytëzimin e teknologjisë 5G.

"Përveç zgjidhjes së problemit të komunikimit midis njerëzve, teknologjia 5G synon zgjidhjen e problemit të lidhjes midis gjërave dhe të njeriut me gjërat. Sipas përllogaritjeve fillestare, 20% e tregut të saj është për konsumin në internet, ndërsa 80% për internetin e gjërave ose internetin industrial. Për sa i përket internetit industrial, do t'i ndihmojmë ndërmarrjet të krijojnë rrjetin e brendshëm në bazë të 5G-së për të thelluar digjitalizimin dhe prodhimin inteligjent", tha z. Miao.

Ministri theksoi gjithashtu se ndërmarrjet e huaja janë gjithmonë të mirëpritura të marrin pjesë aktivisht në procesin e zhvillimit të sektorit 5G në Kinë. Pala kineze do t'i trajtojë sipas ligjit e në mënyrë të barabartë të gjithë pjesëmarrësit vendës e të huaj.(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore