| 2020-01-17 11:58:57 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Shqipëria është e gatshme për bisedimet e pranimit në BE, por ka ende nevojë për thellimin e mëtejshëm të reformës, u shpreh komisionari i BE-së për çështjet e fqinjësisë e të zgjerimit Oliver Varhelyi në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama të enjten në Tiranë.

Varhelyi, i cili ndodhej në vizitën e tij të parë zyrtare në Tiranë, tha se synohet që Shqipëria të hapë negociatat e pranimit përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që planifikohet të zhvillohet në maj të këtij viti në Zagreb të Kroacisë.
"Shqipëria është e gatshme për të hapur negociatat me BE-në dhe ne duam që kjo të ndodhë para samitit të Zagrebit," u shpreh Varhelyi.

Nga ana e tij, kryeministri Rama tha se diskutoi me komisionarin e zgjerimit për hapat e mëtejshëm që duhet të hedhë Shqipëria në procesin e integrimit në BE.
"Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi, për të garantuar përparimin e mëtejshëm të reformave, siç kërkohet nga BE-ja. Ne do ta bëjmë këtë për të ardhmen e vendit dhe të fëmijëve tanë," theksoi Rama.


