Kina do të zgjerojë aktivisht importet

2020-01-15 20:00:48 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas të dhënave të publikuara dje nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave e Kinës, në vitin e kaluar, vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit të Kinës ishte 31.54 trilionë juanë, duke u rritur 3.4 % në krahasim me vitin 2018. Si vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit, ashtu edhe vëllimi i importit dhe ai i eksportit të marrë veçmas, shënuan rekorde të reja historike. Lidhur me këtë, drejtori i Drejtorisë së Tregtisë së Jashtme në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Li Xingqian u shpreh të mërkurën në Pekin se pjesa e eksportit të Kinës në tregun ndërkombëtar u rrit në mënyrë të qëndrueshme, kurse importet e Kinës zunë 10 % të vëllimit të përgjithshëm të importit botëror.

"Kina ka hapur tregun e saj dhe është tregu i dytë më i madh i importit në botë në 11 vjetët e fundit. Pas krizës financiare globale, importi i Kinës ka zënë një të gjashtën e vëllimit të përgjithshëm të importit botëror, duke nxitur rimëkëmbjen e ekonomisë globale," theksoi ai.

Li Xingqian-i bëri të ditur gjithashtu se Kina është bërë partnerja kryesore tregtare e mbi 120 vendeve e rajoneve.

Lidhur me situatën e tregtisë së jashtme në vitin 2020, ai u shpreh:

"Zhvillimi i tanishëm i tregtisë së jashtme po përballet me një situatë gjithmonë e më serioze. Rritja e ekonomisë dhe e tregtisë botërore është ngadalësuar. Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore e ulën parashikimin e rritjes ekonomike globale. Edhe Organizata Botërore e Tregtisë e uli parashikimin për rritjen e tregtisë globale të mallrave në vitin 2020. Njëkohësisht, qeveria kineze nxit hapjen ndaj botës në nivel më të lartë. Zhvillimi i tregtisë së jashtme ka bazë të fortë dhe përkrahje të madhe. Aftësia e ndërmarrjeve për krijimin e risive dhe zgjerimin e tregut të tyre është forcuar. Kemi besim se do të ruajmë zhvillimin e qëndrueshëm të tregtisë së jashtme."

Kreu i Drejtorisë së Tregtisë së Jashtme në Ministrinë e Tregtisë të Kinës Li Xingqian u shprehu gjithashtu se Kina do të shtojë aktivisht importet dhe do të japë kontribut për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore dhe rritjen e tregtisë globale:

"Do të kultivojmë industri e modele të reja, do të përkrahim tregtinë kufitare dhe do të zmadhojmë aktivisht importin, do të ulim koston e përgjithshme të tregtisë dhe do të shtojmë lehtësinë e tregtisë, do të nxitim ngritjen e cilësisë së tregtisë së jashtme, do të ndihmojmë në ndërtimin e një shoqërie të gjithanshme të mirëqenies, dhe do të japin ndihmesë për rimëkëmbjen e ekonomisë botërore dhe rritjen e tregtisë globale." (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore