Wang Yi: Xinjiang-u jep kontribut të rëndësishëm për çështjen antiterroriste ndërkombëtare

2020-01-09 19:34:14 CRI Komenti juaj Printoni

Këshilltari i Shtetit dhe ministër i Jashtëm i Kinës Wang Yi iu përgjigj të mërkurën pyetjeve të gazetarëve për çështjet e Xinjiang-ut, gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologun e tij egjiptian pas takimit të tyre në Kajro.

Wang Yi theksoi se çështjet e Xinjiang-ut janë punë të brendshme të Kinës dhe se problemet që ndodhin në Xinjiang nuk kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe çështjet fetare, por janë çështje të goditjes së separatizmit e terrorizmit.

Kreu i diplomacisë së Kinës theksoi se në të kaluarën, Rajoni Autonom i Xinjiang-ut ka vuajtur shumë nga terrorizmi dhe prirja e mendimeve ekstremiste. Forcat terroriste planifikuan dhe zbatuan mijëra incidente terroriste në Xinjiang, duke bërë që mijëra njerëz të pafajshëm të vriten ose të plagosen. Për të mbrojtur sigurinë e banorëve të të gjitha kombësive që jetojnë në Xinjiang, duke përfshirë ata myslimanë, qeveria e Rajonit Autonom të Xinjiang-ut ka goditur me vendosmëri të gjitha format e terrorizmit dhe, nga ana tjetër, ka krijuar qendrat e arsimit dhe aftësimit profesional, për të shpëtuar njerëzit e prekur nga mendimet ekstremiste nëpërmjet pastrimit të mendimeve, për të zhdukur terrenin e terrorizmit. Kjo masë i përgjigjet thirrjes së Kombeve të Bashkuara në Planin e Veprimit për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, për të përdorur zhvillimin, arsimin dhe burimet e tjera për të frenuar mendimet ekstremiste. Këto janë praktika plotësisht të ligjshme dhe një formë e kundërterrorizmit parandalues ​​që po pranohet gjerësisht.

Wang Yi shprehu shpresën gjithashtu se të gjithë do të shohin qartë se disa forca perëndimore që sulmojnë çështjen e Xinjiang-ut të Kinës me justifikimin e të ashtuquajturave "të drejta të njeriut" dhe nën petkun fetar, janë pikërisht ata që kanë më së paku respekt për qytetërimin islam dhe vazhdojnë të provokojnë luftë në Lindjen e Mesme dhe rajone të tjera, duke shkaktur që një numër i madh myslimanësh të pafajshëm të jenë viktima të luftës. Deri më tani, më shumë se 70 grupe me më shumë se 1000 veta nga 91 vende dhe rajone e kanë vizituar Xinjiang-un me radhë, për të parë situatën e vërtetë në këtë rajon. Kina i mirëprit gjithmonë të gjithë që të shkojnë në Xinjiang dhe të shikojnë nga afër realitetin. (Vera)

Mrekulli
Lajmet Kryesore