Kina: Të gjitha palët e marrëveshjes bërthamore të Iranit duhet të këmbëngulin në zgjidhjen politike

2020-01-06 20:30:47 CRI Komenti juaj Printoni

Qeveria e Iranit bëri një deklaratë të hënën, duke shpallur masat e fazës së pestë për pakësimin e angazhimeve sipas marrëveshjes së përgjithshme bërthamore iraniane. Lidhur me këtë, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Geng Shuang u bëri thirrje të gjitha palëve të kësaj marrëveshjeje të tregohen gjakftohta e të arsyeshme dhe të këmbëngulin në drejtimin e duhur për zgjidhjen politike, që ta mbrojnë me të gjitha përpjekjet marrëveshjen.

Në deklaratën e saj, pala iraniane tha se nuk do të respektojë më kufizimin kyç të fundit në marrëveshje, d.m.th. kufizimin e numrit të centrifugave të Iranit. Njëkohësisht, Irani do të vazhdojë bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike. Teherani do të rifillojë menjëherë zbatimin e marrëveshjes nëse sanksionet do të hiqen dhe Irani do të vazhdojë të ketë përfitime nga marrëveshja.

Lidhur me deklaratën e Iranit, Geng Shuang tha në një konferencë shtypi:

"Pala kineze i ka vënë re masat e shpallura nga Irani. Jemi të mendimit se, megjithëse pala iraniane detyrohet të pakësojë angazhimet sipas marrëveshjes, ajo është treguar e përmbajtur dhe ka shprehur qartë vullnetin politik për zbatimin e tërësishëm dhe të efektshëm të marrëveshjes së gjithanshme. Irani nuk i ka shkelur detyrimet e përcaktuara në Traktatin e Mospërhapjes së Armëve Bërthamore."

Geng vuri në dukje se tani situata në Lindjen e Mesme është bërë më e ndërlikuar dhe marrëveshja e gjithanshme bërthamore e Iranit gjendet përpara sfidave serioze. Tërheqja e njëanshme e palës amerikane nga marrëveshja e gjithanshme, shpërfillja e ligjit ndërkombëtar dhe e detyrimeve ndërkombëtare, ushtrimi i trysnisë së skajme ndaj Iranit dhe pengimi i palëve të tjera për zbatimin e marrëveshjes janë rrënjët e tensionit lidhur me çështjen bërthamore iraniane dhe duhet të jenë pikënisja e palëve të ndryshme për trajtimin objektiv dhe të drejtë të këtij problemi.

Zëdhënësi i diplomacisë kineze theksoi se palët duhet të këmbëngulin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në kornizën e Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes së Gjithanshme, të përjashtojnë ndërhyrjet dhe të shmangin marrjen e çdo mase që mund të shkaktojë ndërlikimin e mëtejshëm të situatës:

"Marrëveshja e gjithanshme nuk u arrit lehtësisht dhe është rezultat i rëndësishëm diplomatik që u miratua nga Këshilli i Sigurimit. Si mbështetëse kryesore e sistemit ndërkombëtar të mospërhapjes së armëve bërthamore dhe e paqes e qëndrueshmërisë në Lindjen e Mesme, kjo marrëveshje përbën edhe një pjesë të rëndësishme të rendit ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar. Bashkësia ndërkombëtare duhet të niset nga largpamësia dhe gjendja e përgjithshme, të mbrojë me vendosmëri marrëveshjen e gjithanshme dhe të nxitë zbutjen e tensionit në problemin bërthamor të Iranit dhe në situatën e Lindjes së Mesme. Pala kineze do të vazhdojë të ruajë shkëmbimet e bashkërendimin e ngushtë me palët dhe të bëjë përpjekje të pandërprera në këtë drejtim." (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore