2019-12-30 20:01:34 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të produkteve të konsumit në Kinë do të arrijë për herë të parë më shumë se 40 trilionë juanë (mbi 5.72 trilionë dollarë amerikanë), gjë që spikat rritjen e peshës së konsumit në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të Kinës.
Zv.drejtori i Departamentit të Rregullimit të Tregut në Ministrisë e Tregtisë të Kinës Wang Bin thotë: "Parashikohet që sivjet vëllimi i përgjithshëm i shitjes me pakicë të produkteve të konsumit do ta kalojë vlerën 40 trilionë, duke arritur në 41.1 trilionë juanë, shifër kjo 8 % më e lartë se vitin e kaluar. Kontributi i konsumit në rritjen ekonomike do të jetë mbi 60 %, duke ruajtur pozitën e konsumit si forca e parë nxitëse e ekonomisë kombëtare."
Wang Bin-i theksoi se është shtuar shpejt edhe importimi i produkteve të konsumit, duke u rritur me tre pikë përqindjeje krahasuar me shifrën e vitit të kaluar. Sipas parashikimit, sivjet janë shitur 26 milionë makina dhe numri i dërgesave të smartfonave do të arrijë në 380 milionë, duke bërë që Kina të vijojë të jetë edhe tregu më i madh i celularëve në botë.
Lidhur me tregtinë e jashtme në vitin 2019, drejtori i Departamentit të Tregtisë së Jashtme të Ministrisë së Tregtisë të Kinës Li Xingqian theksoi zhvillimin e qëndrueshëm në sektorin përkatës.
"Në 11 muajt e parë të sivjetshëm vëllimi i përgjithshëm i import-eksportit arriti në 28.5 trilionë juanë, 2.4 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2018. Parashikohet që në tërë vitin, kjo shifër do t'i kalojë 30 trilionë juanët. Ndër ekonomitë kryesore botërore, shpejtësia e rritjes së eksportit të Kinës është mbi nivelin e përgjithshëm", shpjegoi z. Li.
Me nxitjen dhe pjesëmarrjen aktive të Kinës, 15 vendet anëtare të marrëveshjes së Partneritetit të Gjithanshëm Ekonomik Rajonal (RCEP) përfunduan këtë vit negociatat, gjë që shënoi një përparim të jashtëzakonshëm të procesit të krijimit të zonës të tregtisë së lirë me mundësitë më të mëdha në botë. Sipas z. Zhang Shaogang, drejtor i Departamentit të Çështjeve Ndërkombëtare në Ministrinë e Tregtisë, për hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshjeje duhet të kalohen tre hapa, që përkatësisht janë bisedimet për lejimin e hyrjes në tregjet e njëri-tjetrit, shqyrtimin ligjor dhe miratimin zyrtar. Pritet që para fundit të nëntorit të vitit të ardhshëm, ky proces të mbarojë.(Zhang Yan)